Lady Gaga performoi para 2.1 milionë njerëzve në Brazil – performanca ka bërë xhiron

Lady Gaga ka performuar përpara një audience të përllogaritur prej 2.1 milionë personash në një koncert falas në plazhin ikonik të Copacabana-s në Rio de Janeiro.
Rreth 500,000 turistë udhëtuan për të ndjekur shfaqjen, e cila u financua nga bashkia e qytetit si pjesë e një përpjekjeje për të nxitur ekonominë e brishtë lokale.
Shfaqja dy-orëshe e së shtunës në mbrëmje, që shënoi koncertin më të madh të karrierës së saj, ishte hera e parë që Gaga performonte në Brazil që prej vitit 2012, pasi anuloi pjesëmarrjen në festivalin Rock in Rio në vitin 2017 për arsye shëndetësore.

Artistja amerikane, e cila publikoi albumin e saj të shtatë në studio, Mayhem, në muajin mars, e hapi koncertin me një interpretim dramatik dhe operistik të këngës së saj të vitit 2011, Bloody Mary, përpara se të kalonte në këngën Abracadabra, një nga krijimet e saj më të reja.
“Brazil! Më keni munguar. Më keni munguar shumë”, tha ajo me emocion përpara se të performonte hitin e saj ndër më të njohurit, Poker Face.

Gaga tërhoqi një audiencë të ngjashme me atë të Madonna-s, e cila performoi në të njëjtin vend në maj të vitit të kaluar, ku plazhi shndërrohet në një pistë gjigande vallëzimi për koncerte të tilla madhështore.
Duke iu drejtuar publikut në anglisht dhe përmes një përkthyesi në portugalisht, Gaga u emocionua teksa tha: “Jam shumë e nderuar që jam këtu sonte me ju”. /Telegrafi/






























































