Kuvendi i Shqipërisë mbajti sot një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth II.

Në seancë ishte i pranishëm edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Alastair King-Smith, ambasadori i Austrisë në Tiranë, Christian Steiner, etj.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla në fjalën e saj tha se “më 9 shtator u nda nga jeta Mbretëresha Elizabeth II. Jeta e Madhërisë së saj është një model i përkryer i përkushtimit në shërbim të kombit, shtetit dhe qytetarëve. Mbretëresha Elizabeth II ishte përbashkuesja e kombit e pranuar gjerësisht si simbol i stabilitetit të Mbretërisë së Bashkuar dhe botës. Për shtatë dekada Madhëria e saj udhëhoqi inspiroi dhe ndihmoi Mbretërinë e Bashkuar në ndryshimet e mëdha për forcimin e identitetit kombëtar, rritjen e ndikimit gjeopolitik dhe të pozitës ndërkombëtare”.

Reklama
Reklama

“Me mbështetjen dhe frymëzimin e Mbretëreshës Elizabeth II, qeveritë e Madhërisë së saj kanë ndërtuar bashkëpunimin dhe miqësinë me qeverinë dhe popullin e Shqipërisë. Rezultati i këtij bashkëpunimi dhe kësaj miqësie janë marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar”, tha Nikolla.

Kryeparlamentarja Nikolla u shpreh se “këto ditë zie populli shqiptar i shpreh ndjenjat e simpatisë, solidaritet e miqësisë popullit britanik për këtë humbej të madhe. Në shenjë nderimi e respekti për ndarjen nga jeta të Madhërisë së saj, Elizabeth II ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje”.

Funerali i Mbretëreshës Elizabeth II do të mbahet më 19 shtator, ditë e cila është shpallur nga Mbreti Charles III ditë pushimi zyrtar.

Reklama

Mbretëresha Elizabeth II, monarkja më jetëgjatë në Mbretërinë e Bashkuar, ndërroi jetë në 9 shtator në Balmoral në moshën 96-vjeçare, pasi mbretëroi për 70 vjet. Ajo erdhi në fron në vitin 1952 dhe dëshmoi ndryshime të mëdha shoqërore. /ATSH/

Reklama