LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi Komunal i Gjilanit e shkarkon kryesuesin Arianit Sadiku

Kuvendi Komunal i Gjilanit e shkarkon kryesuesin Arianit Sadiku

Me 19 vota për dhe një kundër, Kuvendi Komunal i Gjilanit në një seancë të jashtëzakonshme, e ka shkarkuar kryesuesin e deritashëm, Arianit Sadiku.

Lajmin e ka bërë të ditur Komuna e Gjilanit, përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook.


Kërkesën për shkarkimin e kryesuesit, në emër të 19 anëtarëve të Kuvendit, të cilët e kanë iniciuar këtë çështje, e ka arsyetuar Avdyl Aliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Aliu ka thënë se Kuvendi nuk ka funksionuar mirë që prej fillimit, ndërkaq prej korrikut të vitit 2022 e këndej është futur në krizë dhe nuk po mund të funksionojë.

Sipas tij, kjo për shkak të mungesës së bashkëpunimit, prandaj “nuk ka kuptim për të vazhduar kësisoj më tutje”.

Ndërsa kryetari i komunës, Alban Hyseni, ka thënë se adresimi për dështimin e seancave të Kuvendit Komunal, nuk mund të drejtohet vetëm nga një person, sepse kryesuesi e ka për obligim vetëm administrimin e seancës, por jo edhe sigurimin e numrave.

Për më tepër ai tha se qëllimi i opozitës, “përmes kësaj loje të fshehtë e tinëzare, është diku tjetër”.

“Kjo është një tentativë për ta prishur LVV ndërmjet vete, siç u veprua me koalicionin, por kjo nuk do të ndodh”, është shprehur Hyseni.

Sipas komunës, kryesuesi i ri i Kuvendit nuk ka mundur të zgjidhet të premten, meqë ka qenë vetëm një propozim, Kushtrim Kadriu (Vatra) ndërkaq, sipas statutit, duhet të jenë së paku dy propozime.

Punimet e seancës janë ndërprerë për të vazhduar javën e ardhshme. /Telegrafi/