Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka mbajtur Kuvendin e Punës.

Në këtë takim të përvitshëm u diskutuan zhvillimet gjatë vitit të kaluar, aktivitetet e dhomës dhe sfidat me të cilat po përballen bizneset dhe ekonomia në përgjithësi.


Kryetari i Kuvedit, Hamdi Malushaj dhe kryetari i Bordit, Skender Krasniqi deklaruan para të pranishmëve se Dhoma ka qenë aktive në trajtimin e çështjeve ligjore dhe administrative që kanë ndikuar në afarizëm.

Në njoftim thuhet se angazhimi DHTIK-së në temat si Ligji për Pronën Publike, liberalizimi i tregut të energjisë, rritja e çmimit të energjisë për konsumatorët e rregulluar, Ligji i Punës, procedurat kufitare, lejet e punës dhe pengesat administrative, etj, ka treguar qartë se nuk heshtin përballë padrejtësive që dëmtojnë bizneset dhe ekonominë.

Kurse, drejtori ekzekutiv, Kushtrim Ahmeti, tha se pavarësisht ambientit të vështirë të të bërit biznes, Dhoma ka vazhduar mbështetjen konstante për të gjitha bizneset anëtare, derisa ka vazhduar vizitat e rregullta tek kompanitë anëtare dhe aktiviteteve si “Kafja e Mëngjesit” me kryetarë komunash.

Gjithashtu, në planin ndërkombëtar, DHTIK ka forcuar në vazhdimësi partneritetet me organizata partnere nga rajoni dhe më gjerë, si dhe një komunikim të mirë me ambasada të ndryshme në vend.

Ahmeti shtoi se viti 2025 dëshmoi se DHTIK është institucion aktiv, i besueshëm, i pavarur dhe i domosdoshëm për komunitetin e biznesit në Kosovë dhe se së bashku do të angazhohen për të ndërtuar një klimë më të mirë biznesi dhe një ekonomi më të fortë për vendin.

Në këtë takim u diskutua për zhvillimet aktuale, angazhimet dhe planet e Dhomës përgjatë 2026-së. /Telegrafi/

.