Kush është në krye të garës për kandidatin demokrat për president të SHBA-së?

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, po fiton terren në garën e brendshme për kandidaturën presidenciale të Partisë Demokratike në SHBA.
Sipas të dhënave të fundit nga platforma e basteve online Polymarket, Newsom ka arritur në 30 për qind shanse për të qenë kandidati përfundimtar i Demokratëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Polymarket, një faqe ku përdoruesit vendosin baste për ngjarje globale në formën e opsioneve "po" ose "jo", është bërë një barometër jozyrtar, por i ndjekur nga afër për të matur pritshmëritë rreth zhvillimeve politike.
Pas Newsom, në vend të dytë renditet përfaqësuesja progresiste, Alexandria Ocasio-Cortez me 14 për qind mbështetje ndërsa ish-Sekretari i Transportit, Pete Buttigieg ndodhet në vend të tretë me 8 për qind.
Ndërkohë, Kamala Harris ka gjasa të rikandidojë për postin e presidentes pas humbjes së vitit të kaluar kundër Donald Trumpit.
Në intervistën e saj të parë që pas largimit nga detyra më 20 janar, ajo i tha Stephen Colbert se nuk do të kandidojë për guvernatore të Kalifornisë në vitin 2026.
Megjithatë, ajo mohoi se kjo ishte për t’i hapur rrugë një kandidature për një “post tjetër” - duke lënë të kuptohet se mund të synojë garën presidenciale. /Telegrafi/

















































