LAJMI I FUNDIT:

Kush është Eva Kaili, eurodeputetja në qendër të skandalit për korrupsion që tronditi Brukselin?

Kush është Eva Kaili, eurodeputetja në qendër të skandalit për korrupsion që tronditi Brukselin?

Eva Kaili është emri që është duke u përfolur nga të gjithë në Bruksel – dhe jo vetëm.

Deputetja greke e Parlamentit Evropian u arrestua të premten nga policia belge si pjesë e një “hetimi madhor” dhe është akuzuar për “pjesëmarrje në një organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion”.


Kaili dyshohet për lobim të paligjshëm në favor të një shteti të Gjirit Persik, të cilin mediat belge e kanë identifikuar si Katari, mikpritës i diskutueshëm i Kupës së Botës FIFA 2022, përcjell Telegrafi.

Skandali ka shkaktuar një stuhi në Bruksel, me reagime të reja që shfaqen pothuajse çdo orë.

Por kush është konkretisht Eva Kaili?

E diplomuar për arkitekturë, inxhinieri ndërtimi dhe çështje evropiane, Kaili filloi karrierën e saj si gazetare për MEGA Channel në Greqi, vendin e saj të lindjes.

Në vitin 2007, ajo ishte një ligjvënëse kombëtare në Parlamentin Helen, si anëtare e PASOK, partisë social-demokrate që ishte atëherë një nga forcat kryesore politike në vendin mesdhetar.

Dy vjet më vonë, PASOK hyri në qeveri nën udhëheqjen e kryeministrit Jorgo Papandreu, i cili u përball me kritika të mëdha për menaxhimin e tij të krizës shkatërruese të borxhit.

Kur Papandreu u përball me një votëbesim në 2011, Kaili fillimisht refuzoi ta mbështeste, por më vonë ajo ndryshoi mendje dhe të gjithë ligjvënësit e PASOK-ut mbështetën kryeministrin e tyre.

Ndërsa kriza greke u përkeqësua, Kaili kandidoi për Parlamentin Evropian dhe u zgjodh në vitin 2014.

Ajo iu bashkua grupit të fuqishëm Socialist dhe Demokratik (S&D), formacioni i dytë më i madh në atë “gjysmëcikël”, dhe shpejt fitoi një reputacion si miqësore me median.

Kaili e rriti profilin e saj si ligjvënëse duke u përfshirë thellë në axhendën dixhitale gjithnjë e më të spikatur të BE-së.

Që nga viti 2021, paga e saj si eurodeputete ishte 7,146 € në muaj, së bashku me një kompensim të përgjithshëm mujor prej 4,778 € dhe shpenzimet e rimbursuara të udhëtimit.

Gjatë viteve, Kaili ka qenë pjesë e një sërë komitetesh, duke përfshirë edhe si anëtar-zëvendësues në Delegacionin për marrëdhëniet me Gadishullin Arab (DARP).

Hannah Neumann, eurodeputetja gjermane që kryeson DARP, tha se, gjatë mandatit të saj, ajo ka vërejtur “disa ambasada” që përpiqen të ndikojnë në vendimet e komitetit “shumë më agresivisht se të tjerët”.

“Ishte mjaft e qartë se disa kolegë nga grupi S&D kishin një axhendë të fortë pro Katarit. Megjithatë, nuk kam menduar kurrë se në disa raste kjo mund të lidhet me ndërhyrje të jashtme të paligjshme dhe akuzat më kanë tronditur”, ka thënë Neumann për Euronews, përcjell Telegrafi.

“Nëse rezulton e vërtetë se Katari, apo ndonjë vend tjetër, është përpjekur të ndikojë mbi anëtarët e Parlamentit Evropian me anë të ryshfetit të madh, kjo do të jetë një barrë e rëndë për marrëdhëniet diplomatike dhe gjithashtu për punën time me delegacionin”.

“Ngjitja që mori një fund të papritur”

Karriera në rritje e Eva Kailit arriti kulmin në janar kur ajo u emërua një nga 14 nënkryetaret e Parlamentit Evropian, një pozicion që pasqyronte qëndrimin e saj mes kolegëve të saj socialistë.

Por ngjitja e saj politike ka marrë një fund të papritur.

Pas arrestimit të saj tronditës të premten, 44-vjeçarja u përjashtua nga PASOK dhe u pezullua nga grupi S&D, ndërsa pasuritë e saj personale u ngrinë nga autoritetet greke, përcjell Telegrafi.

Fjalimet dhe ndërhyrjet e saj të mëparshme u vunë menjëherë nën një shqyrtim të ri, me gazetarët që kërkonin të dhëna që mund të sugjeronin një marrëdhënie jo të duhur të ngushtë me Katarin.

Postimet e mediave sociale tregojnë se Kaili udhëtoi në vendin e Gjirit në fillim të nëntorit dhe zhvilloi takime të profilit të lartë me kryeministrin e Katarit, ministrin e punës dhe ministrin e energjisë, ndër të tjera.

Javë më vonë, Kaili mbajti një fjalim para Parlamentit Evropian në të cilin ajo vlerësoi reformat e punës të Katarit dhe e përshkroi vendin si “fqinjë dhe partnerë të mirë”.

“Sot, Kupa e Botës në Katar është provë, në fakt, se si diplomacia sportive mund të arrijë një transformim historik të një vendi, me reforma që frymëzuan botën arabe”, citohet të ketë thënë ajo.

Kaili madje akuzoi evropianët se mbajnë standarde të dyfishta kundër Katarit, sepse, sipas saj, ata janë të prirur të blejnë gazin e tij natyror të lëngshëm (LNG) për të zbutur krizën energjetike, ndërsa në të njëjtën kohë bëjnë thirrje për një bojkot ndërkombëtar të Kupës së Botës për shkak të shfrytëzimit të punët e migrantëve dhe shkeljen e të drejtave të LGBTQ+.

“(Katari) u përkushtua ndaj një vizioni me zgjedhje dhe u hapën me botën. Megjithatë, disa këtu po bëjnë thirrje për t’i diskriminuar”, tha eurodeputetja.

“Ata i ‘ngacmojnë’ dhe akuzojnë të gjithë ata që flasin me ta ose bashkëpunojnë (me ta) për korrupsion. Por megjithatë, ata marrin gazin e tyre, kanë kompanitë e tyre që përfitojnë miliarda atje”.

Ndërkohë në dhjetor, ajo mori pjesë në një votim të komisionit parlamentar për liritë civile që u përqendrua në liberalizimin e vizave për Kuvajtin dhe Katarin, i cili u miratua me 42 vota pro dhe 16 kundër.

Megjithatë, Kaili nuk ishte anëtare e atij komisioni dhe është e paqartë pse ajo ishte atje.

Teksa skandali u “shpalos” në Bruksel dhe bëri jehonë në të gjithë kontinentin, qeveria e Katarit u distancua nga ligjvënësja.

“Çdo lidhje e qeverisë së Katarit me pretendimet e raportuara është e pabazë dhe e keqinformuar rëndë”, tha Misioni i Katarit në Bashkimin Evropian në një deklaratë.

Ekipi i Kailit nuk iu përgjigj disa kërkesave mediatike të dërguara, shkruan më tej Euronews ndërsa zyra e saj në Bruksel mbetet e mbyllur, me një copë letre të vendosur në derë ku thuhej “qasja është e ndaluar”. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Treni në Japoni u nis me 17 minuta vonesë: Kur pasagjerët dëgjuan arsyen, askush nuk u zemërua

Treni në Japoni u nis me 17 minuta vonesë: Kur pasagjerët dëgjuan arsyen, askush nuk u zemërua

Azia
‘Hakmarrja’ e Izraelit ndaj Iranit - gjithçka që ndodhi në ditën kritike

‘Hakmarrja’ e Izraelit ndaj Iranit - gjithçka që ndodhi në ditën kritike

Botë
Ky është heroi më i ri i Dubait - ai shpëton një familje që kishte ngecur në veturë shkaku i përmbytjeve

Ky është heroi më i ri i Dubait - ai shpëton një familje që kishte ngecur në veturë shkaku i përmbytjeve

Azia
Pas ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit, reagon shefi i NATO-s

Pas ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit, reagon shefi i NATO-s

Azia
Zoran Milanoviq nuk mund të jetë mandatar për krijimin e qeverisë së re kroate

Zoran Milanoviq nuk mund të jetë mandatar për krijimin e qeverisë së re kroate

Kroacia
Izraeli e njoftoi në minutën e fundit SHBA-në për sulmin ndaj Iranit

Izraeli e njoftoi në minutën e fundit SHBA-në për sulmin ndaj Iranit

Azia
Kalo në kategori