Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryeministrin e Mbretërisë së Belgjikës, Bart De Wever, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Në takim u diskutua për marrëdhëniet bilaterale dhe fushat me interes të përbashkët, me theks të veçantë në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare.


Së fundmi, Belgjika ka njoftuar se do të mirëpresë atasheun e mbrojtjes së Kosovës, ndërsa në korrik ministritë e mbrojtjes të dy vendeve nënshkruan një Deklaratë të Qëllimit të Përbashkët, si hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit. Kurti vlerësoi këto zhvillime si pozitive për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, por edhe për paqen dhe sigurinë në kuadër të sfidave gjeopolitike globale.

Ai falënderoi homologun belg për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj Kosovës, si dhe për kontributin e saj në fushën e sigurisë dhe proceset integruese në BE dhe NATO.

Ky ishte takimi i parë bilateral ndërmjet Kurtit dhe De Wever-it, i cili u zhvillua në hapësirat e Misionit të Përhershëm të Belgjikës pranë OKB-së.