LAJMI I FUNDIT:

Kurti i pikëlluar për vdekjen e Ali Lajçit: Do të kujtohet për veprimtarinë patriotike dhe politike

Kurti i pikëlluar për vdekjen e Ali Lajçit: Do të kujtohet për veprimtarinë patriotike dhe politike

Kryeministri Albin Kurti është shprehur i pikëlluar nga lajmi për vdekjen e Bacës Ali, politikanit Ali Lajçi.

I lindur më 3 janar të vitit 1955 në Malaj të Rugovës, Ali Lajçi ka qenë politikisht aktiv gjatë gjithë jetës së tij.


“Emri i Ali Lajçit haset herët, qysh mes emrave të organizatorëve të demonstratave studentore e popullore të vitit 1981, për çka ai u dënua nga regjimi i Jugosllavisë me 15 vite burgim”, kujton kryeministri.

Lajçi u lirua nga burgu në vitin 1991, por u arrestua sërish më 1993 për përfshirjen e tij në organizime të rezistencës së armatosur.

Pas luftës në Kosovë, Ali Lajçi ishte Kryetar i Komunës së Pejës mes viteve 2001 – 2007.

Vdes ish-kryetari i Pejës, Ali Lajçi
Lexo po ashtu Vdes ish-kryetari i Pejës, Ali Lajçi

Pas kësaj ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës në disa legjislatura, ku ishte edhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.

Kryeministri thotë se ka njohur Lajçin në kohën që ky i fundit ishte deputet i LVV-së.

“Me Ali Lajçin më ka rënë të njihem dhe të punojmë së bashku sidomos në kohën sa ishte deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës. Ali Lajçi do të kujtohet për veprimtarinë patriotike dhe angazhimin e tij politik të shtrirë gjatë një periudhe mbi 45 vjeçare, si nga ata që e njohën dhe punuan me të, ashtu edhe nga historia moderne e Kosovës”.

“Ngushëllime familjes Lajçi, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të Ali Lajçit për vdekjen e tij”, ka përfunduar Kurti telegramin e  ngushëllimit./Telegrafi/