"Kurti po sillet si Thaçi", Gani Geci thotë se Konjufca e telefonoi dhe i kërkoi votën e vajzës së tij, Marigonës

Ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci ka deklaruar se deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca e ka kontaktuar një ditë para seancës së parë konstituive të Kuvendit për ta bindur që vajza e tij, Marigona Geci, të votojë qeverinë Kurti.
Në Debat Plus, Geci tha se Konjufca e kontaktoi një ditë para seancës, dhe i kërkoi të shprehte se çfarë kërkonte në këmbim të votës së vajzës së tij.
Por, sipas Gecit, ai refuzoi çdo formë marrëveshjeje për votën.
Geci ka treguar se kërkesa e tij ka qenë që Albin Kurti t’i përgjigjej një letre nga familja Geci dhe të kërkonte falje publike.
“Nuk ka tani, por ka pas. Nga sekserët e LLV-së. Është një prej deputetëve të VV-së të rrethit të Prizrenit. Dhe ish-kryetari i Kuvendit të LVV-së, zoti Glauk Konjufca, me datën 14, një ditë para seancës së parë me thirri në telefon. Dhe më ka thënë çfarë po kërkon që Margiona Geci ta votojë qeverinë e Albin Kurtit. Dhe unë i kam thënë unë nuk kërkoj asgjë. Unë nuk shes votën time, unë nuk i shes 20 mijë e 500 vota që i ka marrë Marigona Geci në LDK".
"Por unë kërkoj që Kurti t’i përgjigjet letrës së vëllaut tim, Halil Gecit, që e ka shkruar me datën 09,10.2024, dhe të kërkoi falje publike, sepse Albin Kurti për familjen Geci po e luan rolin e njëjtë qysh e ka luajtur Hashim Thaçi për 20 vjet. Dhe për 5 vjet po e luan rolin Albin Kurti”, ka thënë Geci në Debat Plus. /Dukagjini/


















































