Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar viktimat e masakrës në Izbicë dhe atyre të familjes Bogujevci në 23-vjetorin e vrasjes së tyre.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se të dy masakrat u kryen më 28 mars 1999, katër ditë pas fillimit të intervenimit të NATO-s dhe në 10-vjetorin e Kushtetutës së Serbisë, që vulosi suprimimin e autonomisë së Kosovës.

“Në çdo pranverë përkujtimi i mizorive të regjimit serb na e tregon se sa të hapura janë plagët e sa e madhe mbetet dhimbja. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, 7 fëmijë nga mosha 2 deri në 15 vjeç dhe 7 gra të familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, u pushkatuan 23 vjet më parë në Podujevë nga njësiti rezervë policor serb “Shkorpionët”.

Në këtë masakër humbi 16 anëtarë të familjes e u mbijetoi 16 plumbave Saranda Bogujevci, e cila sot është nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.

Rreth 80 kilometra më larg, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe rrethuan mijëra civilë të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth. Nga turma i morën 147 burra dhe djem, të cilët i ekzekutuan në vend.