Në përvjetorin e masakrës në Nabërgjan të Pejës, sot janë kujtuar 31 civilët e pafajshëm të vrarë gjatë vitit 1999.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se viktimat – burra, gra dhe fëmijë, nga mosha 13 deri në 95 vjeç – ishin të pambrojtur dhe të paarmatosur, dhe u vranë “vetëm pse ishin shqiptarë dhe donin të jetonin të lirë në tokën e tyre”.


Ai ka theksuar se krimi u krye nga makineria shtetërore ushtarake e policore, e ideuar dhe e planifikuar në Beograd nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, me synim shfarosjen e popullit shqiptar, por sipas tij plani i tyre gjenocidal dështoi.

“Bashkë me aleatët perëndimorë, Kosova e fitoi luftën dhe u çlirua. Ne po jetojmë në paqe e Republika jonë po zhvillohet e po përparon çdo ditë”, ka deklaruar Kurti.

Megjithatë, ai ka nënvizuar se për paqe të plotë nevojitet drejtësia, duke shtuar se pa drejtësi “plagët mbeten të hapura”.

Kurti ka bërë të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës ka forcuar kapacitetet për hetim dhe ndjekje penale, ndërsa i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit, në veçanti Prokurorisë Speciale, që të veprojë pa vonesë mbi bazën e dëshmive ekzistuese, në mënyrë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, “qoftë edhe në mungesë”.

“E vërteta është në anën tonë, e drejtësia është rruga jonë… Përkujtimi i së kaluarës është zotimi ynë që ajo të mos përsëritet kurrë”, ka përfunduar ai, duke nderuar dëshmorët dhe martirët e kombit./Telegrafi/