Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për, siç tha ai, “përbuzje të ofertave” për arritjen e një marrëveshjeje politike lidhur me zgjedhjen e presidentit të vendit.

Këtë deklaratë ai e bëri gjatë fjalimit në seancën e Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur për diskutim rreth procesit të zgjedhjes së presidentit.


Seanca është bojkotuar nga partitë opozitare, ndërsa Kurti tha se opozita ka ndërmarrë, siç u shpreh ai, “bllokada të njëpasnjëshme institucionale” me qëllim të dëmtimit të partisë fituese të zgjedhjeve.

“Marrëveshja politike dhe kompromisi për koalicion qeverisës është gjëja më normale në demokraci. Por kompromisi nuk është pazar për të rehatuar figura politike”, tha Kurti.

Ai shtoi se në çdo marrëveshje politike duhet të merret parasysh pesha elektorale e partive, respektivisht numri i votave që ka marrë secila subjekt politik.

Kurti rikujtoi se më 25 prill Lëvizja Vetëvendosje u kishte ofruar partive opozitare, PDK-së dhe LDK-së, kohë deri të dielën për të propozuar së bashku tre kandidatë jopartiakë për postin e presidentit të Kosovës.

Sipas tij, opozita e ka kundërshtuar këtë qasje dhe e ka akuzuar Vetëvendosjen dhe atë personalisht për, siç tha, propagandë dhe “show politik” në lidhje me seancën e thirrur për diskutim.

Në vijim të fjalës së tij, Kurti tha se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit duhet të kuptohet në raport me rezultatin zgjedhor dhe peshën politike të partive në Kuvend.

“Në terma të përqindjes, LVV i ka 51.1 për qind të përgjegjësisë për zgjedhjen e presidentit, por nuk e ka 100 për qind”, deklaroi ai.

Ai theksoi se fakti që një parti ka më pak deputetë nuk e përjashton nga përgjegjësia për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Kurti tha se, si parti fituese, Lëvizja Vetëvendosje ka ushtruar përgjegjësinë e saj duke zhvilluar takime me krerët e partive opozitare dhe duke paraqitur propozime konkrete për zgjidhje.

“LDK dhe PDK nuk kanë marrë iniciativë, nuk kanë dhënë ndonjë propozim apo emër. Kur iu ofrua mundësia konkrete, kanë zgjedhur heshtjen”, tha ai./Telegrafi.