Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në hapje të mbledhjes së tetë të përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, tha se synimi i përbashkët është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Kurti shtoi se sot bashkëpunimi në mes dy shteteve tona në kohën e paqes duhet ta rindez atë entuziazëm që pati në kohën e luftës për çlirim.
“Ky bashkëpunim nuk ka qenë asnjëherë më i gjerë me intensiv në burimet njerëzore dhe natyrore. Megjithëse një kohë ka pasur kufij ndarës të imponuar politikisht natyra nuk ka ditur për ta kur i ka shpërndarë burimet e saj zhvillimore në rajon”, tha Kurti.
Kurti shtoi se marrëdhëniet tona janë dëshmi se kur nuk ekzistojnë problemet e pazgjidhura politike suksesi i marrëdhënieve në të gjitha fushat është i garantuar.
“Lënja për fund dhe mbajtja pezull e zgjidhjes së problemeve esenciale politike, mban pezull mosbesimin e ndërsjellë social. Anëtarësimi në BE mbetet synim i ynë i përbashkët”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se marrëveshjet që do të nënshkruhen sot do të jenë për lehtësimin e jetës së qytetarëve të të dyja shteteve.
Fjala e plotë e Kurtit:
Mirësevini në këtë mbledhje të tetë të përbashkët, e cila kësaj radhe po mbahet në Prishtinë.
Në mbledhjen e kaluar patëm thënë se jemi popull optimist dhe se gjithnjë jemi një. Tanimë, duke kaluar nga njëra mbledhje te tjetra, besoj se duhet ta kthejmë optimizmin në entuziazëm. Entuziazmi në rastin tonë është optimizmi i bashkërenduar mes kapaciteteve njerëzore dhe dinamikave ekzekutive. Entuziazmi është po ashtu organizim më i mirë i mundshëm mes imagjinatës dhe racionalitetit.
Sfidat sot, siç e dimë të gjithë, janë të shumta dhe situata politike botërore duket shumë e rënduar. Por, në të njëjtën kohë ne mund ta lexojmë këtë gjendje edhe më mirë, edhe më qartë. Kur problemet shfaqen më haptas, kur orientimet gjeopolitike shfaqen më hapur, jo vetëm në burimet e tyre historike dhe ideologjike, përcaktimi ynë është më i thjeshtë. Besoj se parimi dhe strategjia jonë njësohen kur situata e madhe gjendet e detyruar të deklarojë rreshtimin e vet. Prandaj dhe këto mbledhje qeverish tingëllojnë më të vërteta dhe më efektive se kurrë më parë.
Para pak ditëve festuam çlirimin e Kosovës. Përkujtoj këtu dëshmorët dhe luftëtarët e ardhur nga Republika e Shqipërisë, si dhe mbështetjen e solidaritetin e paparë të vëllezërve e motrave tona për refugjatët shqiptarë nga dëbimi masiv e spastrimi etnik, që po bëhej ndaj tyre. Sot bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve tona, në kohën e paqes, duhet ta rindezë atë entuziazëm që pati në kohën e luftës për çlirim.
Me këtë rast, më vjen mirë të theksoj se ky bashkëpunim nuk ka qenë asnjëherë më i gjerë e më intensiv, sa në fushën e përdorimit të burimeve njerëzore aq edhe të atyre natyrore. Sepse, megjithëse për një kohë ka pasur kufij ndarës, të imponuar politikisht, natyra nuk ka ditur asgjë për ta kur i ka shpërndarë burimet e saj zhvillimore në këtë rajon. Ndërkaq, me kotësimin e tij progresiv, ai kufi duhet të na shërbejë si matësi i emancipimit tonë ekzekutiv. Me kotësimin e tij si artificë, përbashkohet karakteri ynë kombëtar me zotërimin e përbashkët të natyrës.
Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona janë dëshmi se kur nuk ekzistojnë probleme të pazgjidhura politike, suksesi i marrëdhënieve në të gjitha fushat e tjera është i garantuar. Është gjithashtu dëshmi se bashkëpunimi, integrimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në të gjithë rajonin sigurohet duke i zgjidhur problemet politike në fillim e jo në fund. Lënia për fund dhe mbajtja pezull e zgjidhjes së problemeve esencialë politikë, mban pezull mosbesimin e ndërsjellë social. Këtu më pëlqen ta kujtojë argumentin bindës të socio-ekonomistit të famshëm izraelito-amerikan, Amitai Etzioni, se besimi social luan rol të madh për suksesin ekonomik, dhe, se, në fund të fundit, aty ku ndërbesimi social është më i madh, edhe kostoja e përgjithshme e transanksioneve ekonomike ndërmjet palëve është gjithnjë më e ulët.
Bashkëpunimin dhe integrimin brenda kombit dhe ndërmjet dy shteteve tona, e ka lehtësuar fakti se veç sa po zbatojmë në rastin tonë parimet dhe praktikat tashmë të njohura të Bashkimit Evropian, përderisa edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synimi ynë i përhershëm dhe drejtues i politikave tona.
Kjo mbledhje e tetë e dy qeverive tona vjen vetëm gjashtë muaj mbas mbledhjes së kaluar në të cilën u nënshkruan 13 marrëveshje ndërqeveritare dhe 8 marrëveshje ndërmjet institucioneve. Jam i kënaqur të njoftoj se brenda këtyre gjashtë muajve janë realizuar dhe janë në zbatim të gjitha ato marrëveshje, përveç njërës, që pritet të hyjë në veprim së shpejti. Me to është lehtësuar jeta e qytetarëve në fusha të ndryshme, ndër të cilat mund të përmendim lehtësimin e marrjes së leje-qëndrimit, njësimi reciprok i diplomave, kalendari i përbashkët kulturor dhe bashkëpunimi në fushën e trashëgimisë kulturore, të bujqësisë, e të tjera. Po ashtu jemi duke punuar për realizimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në të kaluarën. Nga 127 prej tyre janë zbatuar pa probleme vetëm 75, ose 59 për qind, që është shumë pak krahasuar me 93 për qind të realizimit të marrëveshjeve të nënshkruara para vetëm gjashtë muajsh.
Të gjitha marrëveshjet që do të miratohen sot kanë për synim lehtësimin e mëtejshëm të jetës së qytetarëve, afrimin dhe rritjen e kompetencës njohëse dhe praktike të tyre si qytetarë, duke ndërtuar në radhë të parë infrastrukturën e përbashkët për arritjen e atyre synimeve, qoftë të asaj fizike, qoftë të asaj administrative. Kompetenca njohëse e qytetarit rritet kur rregullat përafrohen deri në njësim dhe kur krijohen trupa të përbashkët administrativë në fushat përkatëse.
Në këtë drejtim po përmend vetëm marrëveshjen për pranimin e studentëve në institucionet e arsimit të lartë me të njëjtat procedura pavarësisht se në të cilën anë të kufirit ata ndodhen ose atë për ngritjen e Grupeve të përbashkëta të Punës për Studimin, Vlerësimin dhe Hartimin e Projekt-Marrëveshjes për Bashkimin Doganor, studimin e fizibilitetit dhe projekt – idesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë, e të tjera.
Është veti e këtyre mbledhjeve të flasin me gjuhën e rezultateve. Po ashtu është veti e këtyre mbledhjeve të nxjerrin në pah imagjinatën e sektorëve të veprimit. Pritshmëritë tona janë reale. Proceset integruese e përbashkuese të parashikuar në këto marrëveshje janë tashmë të gatshme në praktikat më të mira botërore dhe veçanërisht në ato të Bashkimit Evropian. Ndërkohë na mbetet edhe përcaktimi i shpejtësive të zbatimit të tyre. Ne besojmë se gjashtë muaj më pas do të kemi rezultatet e ardhshme.
Për fund, na duhet harmonizim e bashkërendim më i mirë i politikave dhe veprimeve mes dy vendeve tona, si në çështje rajonale e po ashtu edhe të politikës së jashtme. Është e vërtetë që shqiptarët sot jetojnë më mirë se kurdoherë. Por, krahasimi ynë me vetveten nuk është matësi më i mirë, sepse ne ishim populli më i shtypur e si rrjedhojë edhe më i pazhvilluari në Evropë. Progresin tonë duhet ta matim duke e krahasuar me atë të vendeve të zhvilluara, në të cilat edhe kanë ikur një pjesë e mirë e popullit tonë. Pra, na duhet një krahasim mes asaj çka aktualisht po bëjmë dhe çka potencialisht mund të arrijmë. E këtu kam përshtypjen që kemi një oqean të tërë të mundësive të pashfrytëzuara.
Nga kjo pikëpamje besoj se duhet të gjykohen edhe marrëdhëniet mes dy shteteve të kombit tonë dhe rolit që kemi secili nga ne. Nga mundësia historike që na është dhënë për të shërbyer në një kohë të shanseve shumë të mëdha. E s’ka dyshim se kjo mundësi historike që na është dhënë, do të jetë edhe gjykim i historisë për NE.
Por, shpresojmë e besojmë për të mirë e për të mbarë.
Ju faleminderit e urdhëroni Kryeministër Edi Rama. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
ASH krahu i Selës: Kemi njoftuar përfaqësitë diplomatike për tentimin e pushtetit për partizim të Agjencisë për Media
Marshim dhe protestë para Ministrisë së Arsimit për vrasjen e 14-vjeçariti në Tiranë, kërkohet dorëheqja e Manastirliut dhe siguri në shkolla
Aksion policor sërish në veri të Mitrovicës, gjenden armë dhe municion në kulmin e një ndërtese
"Hajna, hajna", deputeti Abazi i drejtohet pushtetit pas adresimit të presidentes Osmani në Kuvend
Osmani kritika për BE-në lidhur me dialogun: Për Kosovën, nënshkrimi i presidentit të Amerikës është më i rëndësishëm se ai i Serbisë
Kadriaj me pankartë në Kuvend: Fitore Pacolli 200 mijë euro, gratë e Krushës 0 euro
Vrasja e 14-vjeçarit, prindërit me lot në sy protestojnë pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë
Osmani kritikon keqpërdorimin e aleatëve për interesat politike: Vënia në rrezik e tyre cenon mbrojtjen e Republikës
Shala kërkon shtyrjen e seancës për caktimin e urdhrit për dëmshpërblim ose të mos marrë pjesë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme