Kryeministri në detyrë Albin Kurti mori pjesë mbrëmë në darkën lamtumirëse të organizuar me rastin e përfundimit të misionit të komandantit të KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani, e cila u mbajt në rezidencën italiane në Prishtinë.

Në këtë eveniment ishin prezent jo vetëm Kurti, por edhe ambasadorët e vendeve anëtare të QUINT-it, që përfshijnë Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Italinë.


Barduani u falënderua për kontributin në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në Kosovë gjatë mandatit të tij si komandant i KFOR-it.

Kurti falënderoi Barduanin për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe misionit të NATO-s, duke theksuar rëndësinë e përkushtimit dhe angazhimit të tij.

Ai i uroi suksese në detyrat e ardhshme dhe shprehu besimin se marrëdhëniet e shkëlqyera do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. /Telegrafi/