LAJMI I FUNDIT:

Kurti flet për liberalizimin e vizave me eurodeputetin holandez

Kurti flet për liberalizimin e vizave me eurodeputetin holandez

Dita e dytë e vizitës zyrtare në Strasbourg për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, filloi me një takim me raportuesin në Parlamentin Evropian mbi çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën njëherësh eurodeputet nga radhët e grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), Thijs Reuten.

Eurodeputeti holandez përgëzoi Republikën e Kosovës për progresin në zbatimin e reformave të agjendës evropiane e politikat qeverisëse si dhe përparimin e bërë në zhvillim ekonomik, demokratizim e sundim të ligjit.


“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për përkrahjen e tij të vazhdueshme dhe të grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), ndaj vendit tonë në çështjen e liberalizimit të vizave, aplikimit për anëtarësim në BE, e rrugëtimit tonë të përgjithshëm evropian”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Hapi i ndërmarrë nga ana e Kosovës përmes aplikimit për anëtarësim në BE ishte temë e rëndësishme e diskutimit, ku u theksua se ka qenë i natyrshëm, vullnet i qytetarëve dhe dëshmia e radhës e orientimit të vendit ndaj vlerave e standardeve demokratike e evropiane.

Eurodeputeti Reuten tha se është e rëndësishme që qytetarëve të Kosovës t’iu jepet perspektiva evropiane dhe të ecet përpara drejt një procesi kredibil të bazuar në meritokraci e shënim të progresit.

Duke e ftuar eurodeputetin Reuten që ta vizitojë vendin tonë në muajt në vijim, Kryeministri Kurti e falënderoi për takimin dhe diskutimet e shpeshta, produktive e të frytshme me të dhe eurodeputetët socialdemokratë.

Në takim, bashkë me kryeministrin Kurti ishin edhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti./Telegrafi/