Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Policinë e Kosovës me rastin e 26-vjetorit të themelimit, duke e cilësuar si themel të sigurisë dhe institucion ndër më të besueshmit në vend.

Në fjalën e tij në ceremoninë solemne, Kurti tha se Policia e Kosovës ka dëshmuar guxim dhe përkushtim ndaj qytetarëve dhe Republikës, duke u përballur me sfida të shumta e duke shënuar arritje të rëndësishme. Ai kujtoi kontributin e policëve të rënë në krye të detyrës, duke veçuar heronjtë Afrim Bunjaku e Enver Zymeri.


“Sakrifica e tyre është porosia jonë: çdo ditë të ndërtojmë një Kosovë më të sigurt, më të drejtë dhe më të fortë”, tha Kurti.

Ai nënvizoi se gjatë vitit të fundit Policia e Kosovës ka vepruar me vendosmëri në veri të vendit, duke mos lënë hapësirë për strukturat ilegale të sponsorizuara nga Serbia, duke çmontuar kompani të paligjshme dhe duke sekuestruar armë e pajisje ushtarake.

Kryeministri në detyrë theksoi gjithashtu se Policia e Kosovës është institucion gjithëpërfshirës, ku 10% e pjesëtarëve i përkasin komuniteteve, mbi gjysma prej tyre nga komuniteti serb, ndërsa vajzat dhe gratë në uniformë po thyejnë barriera në çdo nivel të strukturës policore.

Kurti përmendi edhe përmirësimet në infrastrukturë dhe profesionalizim, përfshirë hapjen e stacioneve të reja kufitare, ngritjen e kapaciteteve të Njësive për Ndërhyrje të Shpejtë dhe fuqizimin e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Ai kujtoi se raportet ndërkombëtare e kanë renditur Kosovën ndër vendet më të sigurta në botë, duke e cilësuar këtë si dëshmi të besimit të qytetarëve dhe suksesit të Policisë së Kosovës.

“Urime 26-vjetori i Policisë së Kosovës! Lavdi dëshmorëve të saj! Rroftë Republika e Kosovës!”, përfundoi Kurti.