LAJMI I FUNDIT:

Kur tradhtohesh nga ajo që besove me vite

Kur tradhtohesh nga ajo që besove me vite

Në gjuhen e sportit, lëvizjet e lojtarëve nga një ekip në tjetrin quhen “afate kalimtare”. Në politikë, ndonëse këto lëvizje nuk kanë ndonjë emër specifik, por kryesisht quhen aderime, fuqizime dhe prurje të reja, të gjitha këto kanë kuptimin e lëvizjes së njerëzve nga një subjekt në tjetrin.

Perceptimet e qytetarëve dhe analistëve për lëvizjet e individëve nëpër parti politike mund të jenë nga më të ndryshmet, por gjithmonë vendimet janë individuale dhe ndërhyrja e të tjerëve në këto vendime është kufizim i të drejtës për të “vetëvendosur” secili për fatin e tij.


Të jesh i përfaqësuar nën ombrellën e një subjekti politik nuk do të thotë të jesh më pak qytetar, sepse disa subjekte politike në Kosovë problemin kryesor e kanë se individin më përpara e shohin anëtar apo aktivist të tyre sesa që e shohin fillimisht si qytetar.

Në krejt boten perëndimore, lëvizja e njerëzve nga një subjekt në tjetrin konsiderohet si diçka e shëndosh dhe krejt normale, por në mentalitetin e Ballkanit, ku bëjmë pjesë edhe ne, këto lëvizje konsiderohen shpeshherë si shitje apo blerje të individëve, sepse vlera e njerëzve në disa subjekte tona fatkeqësisht është e barabartë me një produkt. Se trajtohen njerëzit si vegla për ta arritur partitë qëllimin e tyre, këtë na e kanë dëshmuar partitë opozitare të cilët anuluan protestën e prillit – vetëm 24 orë përpara se ajo të mbahet.

Qëllimi i lëvizjeve nga partia në parti është më i rëndësishëm sesa vetë gjykimi që mund t’u bëhet njerëzve që vendosin për ta ndryshuar përfaqësimin politik. Jo rrallëherë njerëzit janë tradhtuar nga ajo që kanë besuar, prandaj ndodhin lëvizjet pasi gjithmonë ekziston një qëllim para se të merret një vendim.

Njerëzit janë qenie e gjallë dhe mendimi i tyre mund të evoluojë, përderisa subjektet që qëndrojnë fanatike prapa disa koncepteve që nuk janë sinkron me kohën, natyrisht se mbesin prapa. Mirëpo, askush nuk ka të drejtë t’ua pamundësoj evoluimin individual.

Gjithandej kemi aderime, fuqizime dhe prurje të reja – si nga ana e pozitës ashtu edhe nga ana e opozitës. Por, dallimi qëndron se opozita në Kosovë ka një vlerësim për këto raste: ata që kalojnë nga opozita në pozitë bëhen të këqij brenda natës e ata që kalojnë nga pozita në opozitë bëhen të mirë po ashtu brenda natës. Kështu ata e përcaktojnë një kufi në mes të këqijve dhe të mirëve në politikë.

Mund ta kuptojë çdo lëvizje që mund të bëhet nga opozita në pozitë ose anasjelltas, por komplet duket e pakuptueshme kur njerëzit marrin vendim të lëvizin nga opozita në opozitë e prapëseprapL mbetet vendim i tyre dhe nuk guxojmë të ndërhyjmë në të drejtën e tyre për të vetëvendosur.