LAJMI I FUNDIT:

Kur Serbia është në siklet

Sa më shumë të jenë të pakënaqur qeveritarët e Beogradit me zhvillimet e fundit në Kosovë, sa më shumë që këto zhvillime mund t’i përdorin opozitarët radikalë kundër Tadiçit dhe politikave të tij, aq më shumë ky i fundit është i shtrënguar të bëjë diçka në raport me Kosovën, për ta dëshmuar të kundërtën e asaj që thonë opozitarët dhe për t’i amortizuar sulmet e atyre që ushqehen me shpresën se Kosova nuk është e humbur.

Nëse nuk shihet nga ky prizëm gjendja aktuale në Serbi, nëse nuk kuptohet nacionalizmi serb edhe tek shtresat e gjëra të popullsisë, sidomos asaj rurale, nuk mund të kuptohet drejt arrestimi i dy policëve shqiptarë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.


Kohëve të fundit ka indikacione të forta se Serbia nuk do t’i mbaj zgjedhjet në Kosovë, të cilat më parë askush nuk i ka penguar. Disa përfaqësues evropianë thonë se tani, pas fusnotës së pranuar nga Kosova, do të punohet që edhe pesë vendet tjera të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë në një të ardhme të afërt. Në anën tjetër, fusnotën të cilën Tadiçi e konsideron fitore të tij, e refuzoi një mekanizëm i rëndësishëm: Parlamenti Evropian. Ndërsa, ditë më parë Daçic nuk u kthye i entuziazmuar nga vizita në Moskë, sepse nuk pati ndonjë premtim konkret nga ana e kryediplomatit rus.

Të gjitha këto janë minuse politike për qeveritarët aktualë në Beograd, të cilat opozita po i përdorë suksesshëm kundër politikave të Tadiçit. Prandaj, për Beogradin zyrtar imponohet veprimi aktiv, që do ta ndryshonte këtë perceptim jo të mirë për Tadiçin. Prandaj, u zgjodh diçka spektakolare, që bije në sy tek një plak me “shajkaqe” në Shumadi!

Zgjidhja u “gjet”, u bë edhe “koreografia”: dy policë nga Kosova, të shtrirë për gjynah për toke! Është jashtë çdo dyshimi se e gjithë kjo është bërë për konsum të brendshëm. Tadiçi do që të fitoj, do që të vazhdoj edhe për disa vite mandatin si kryetar i Serbisë, e për këtë ai e ka përkrahjen edhe të evropianëve. Me këtë arrestim janë bërë edhe kalkulime tjera, sepse me të përfitimet e brendshme janë të mëdha në rastin e zgjedhjeve.

Nëse është kështu, Prishtina zyrtare përkundër reagimeve të shpejta e të ashpra të pushtetarëve, përkundër vërejtjeve të dërguara te ndërkombëtarët, përkundër faktit se Kosovës i është shkel integriteti, dhe përkundër faktit se i është nënçmuar shtetësia, nuk do të mund të nxjerrë shumë përfitime politike nga ky veprim i Beogradit. Sidomos, jo të atilla që do ta ndihmojnë në rrugëtimin drejtë Bashkimit Evropian apo të atilla që do ta pengojnë Beogradin në këtë rrugëtim.

Brukseli do të ketë konsiderata të mëdha ndaj sëkëlldisë politike në të cilën gjendet Tadiçi. Është punë tjetër dhe temë tjetër se a do të mund të nxjerrin nga e gjithë kjo përfitime partitë opozitare në Prishtinë kundër qeveritarëve aktualë të cilat me vlerësimet e tyre kritikuan ashpër edhe qeveritarët.