LAJMI I FUNDIT:

Kur qeveritarët përndjekin mjekët

Kur qeveritarët përndjekin mjekët
Ilustrim

Përndjekja e mjekëve, shkencëtarëve, dhe të gjithë atyre që kanë guximin të dalin kundër dijeve ose normave standarde të kohës, është një dukuri e lashtë. Një nga rastet më të famshme ka të bëjë me astronomin, fizikantin dhe inxhinierin nga Piza e Italisë, Galileo Galilei. Ai u persekutua nga Kisha Katolike në fillim të shekullit XVII-të, pasi koncepti i tij mbi Universin nuk ishte në përputhje me mendimin teologjik të kohës.

Mbrojtja e teorisë “heliocentrike” nga Galileo – sipas së cilës është Toka dhe planetët e tjerë, ato që rrotullohen rreth Diellit në qendër të sistemit diellor – u hetua nga Inkuizicioni në Romë në vitin 1615. Shkencëtari u gjykua nga Inkuizicioni, u shpall si “i dyshuar për herezi” dhe u detyrua të tërheqë mbrapsht ato që pretendonte. Ai e kaloi pjesën tjetër të jetës nën arrest shtëpiak.


Deri më tani, Anthony Fauci ka qenë më me fat se Galilei. Me gjithë përpjekjet e përsëritura nga presidenti aktual amerikan dhe administrata e tij, shumica e amerikanëve vazhdojnë t’i besojnë më shumë atij sesa Donald Trumpit.

Sipas një sondazhi të realizuar nga “The New York Times” dhe Siena College, 67 për qind e amerikanëve i besojnë dr. Facçit si një burim informacioni i saktë në lidhje me pandeminë e Covid-19, ndërsa vetëm 26 për qind i besojnë shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Kur të vijë koha e një sulmi tjetër nga Donald Trumpi apo njerëzit e tij, Fauci mund të këshillohet të veprojë sipas traditës krenare të mjekëve kurajozë. Në mendje më vjen një rast i veçantë. Në vitin 1865, Rudolf Virchow, mjek, shkrimtar, shkencëtar dhe politikan gjerman, e kritikoi qeverinë e tij për investimet e mëdha në ushtri, në vend të një vëmendje më të madhe ndaj arsimit dhe eliminimit të varfërisë.

Virshow i njihet merita e hartimit të programeve të para mbi shëndetin publik në Gjermani. Sipas legjendës, pas një sulmi të rëndë verbal nga Virshow, kancelari gjerman Otto von Bismarck u zemërua aq shumë, sa që i dërgoi menjëherë njerëzit e tij në laboratorin ku punonte Virshow, për ta njoftuar se e sfidonte këtë të fundit në një duel klasik më armë.

Zyrtarët e Bismarckut e gjetën shkencëtarin duke punuar me Trichinella spiralis, parazitin më të vogël nematodik të njerëzve, dhe një nga parazitët më të rëndësishëm klinikë në botë. Ai është shkaktar i sëmundjes Trichinosis, që po bënte kërdinë më atë kohë në Gjermani. Ndaj, Virshow po punonte në mënyrën më të mirë për ta kontrolluar atë. “Oh”- tha Virshow, “një sfidë për duel nga Princi Bismarck? Epo mirë, meqë unë jam pala e sfiduar, supozoj se kam të drejtën e zgjedhjes së armëve. Ja ku i keni!”.

Ai u tregoi vizitorëve të tij dy suxhukë të mëdhenj, të cilat nga jashtë dukeshin njësoj. “Një nga këta suxhukë është i mbushur me Trichinella spiralis, pra është vdekjeprurës. Tjetri është tërësisht i shëndetshëm. Nga jashtë, ato nuk mund të tregohen veç e veç. Lëreni Shkëlqesinë e tij të më bëjë nderin e madh duke zgjedhur cilin nga suxhukët dëshiron të hajë, dhe unë do të zgjedh të ha suxhukun tjetër”. Dueli u anulua shpejt. Incidenti njihet jozyrtarisht si Dueli i Madh i Suxhukut i vitit 1865.

Por, përndjekja e mjekëve dhe shkencëtarëve në histori, nuk ka të bëjë vetëm me shkencën. Ajo është shpesh e lidhur ngushtë edhe me interesat e biznesit. I tillë është rasti i mjekes britanike Judith Mackey, që nga vitet 1960 foli kundër kompanive të duhanit, pasi ishte studiuar ndikimin e pirjes së duhanit mbi shëndetin e njerëzve në Hong Kong. Ajo bëri një fushatë për rritjen e taksave, për të dekurajuar pirjen e duhanit tek të rinjtë, dhe kundër pirjes së duhanit në përgjithësi. Dr. Mackey i përqendroi interesat e saj në pirjen e duhanit në vendet me të ardhura të ulëta, pirjen e duhanit tek gratë, duke sfiduar ndikimin në rritje të kompanive transnacionale të duhanit.

Kur i kërkoi qeverisë së Hong Kongut të miratojë rregulla më të rrepta për të ulur përdorimin e duhanit, ajo u përball vazhdimisht fyerje dhe kërcënime me vdekje. Prandaj, nuk është e habitshme pse kompanitë shumëkombëshe të duhanit, u përpoqën të diskreditojnë kërkimet e saj shkencore. Në fakt, ato e quanin mjeken një nga tre njerëzit më të rrezikshëm në botë. Në vitin 2009, ajo fitoi çmimin e parë “Medical Journal” në Britani. Falë punës së njerëzve si Dr. Mackey, u shpëtuan dhjetëra miliona jetë. Vlerësohet se midis viteve 2008-2014, më shumë se 53 milionë njerëz në 88 vende të botës e ndalën pirjen e duhanit falë masave të kontrollit të duhanit. Sipas studiuesve në Qendrën Gjithëpërfshirëse mbi Kancerin, kjo do të thotë se u shmangën më shumë se 22 milionë vdekje të lidhura me pirjen e duhanit. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, kostoja totale ekonomike e pirjes së duhanit është më shumë se 300 miliardë dollarë në vit, përfshirë kujdesin e drejtpërdrejtë mjekësor, produktivitetin e humbur në punë, dhe ekspozimin e personave të tjerë ndaj pirjes së duhanit.

Ndërkohë, ndërsa koronavirusi vazhdon ta marrë jetë njerëzore, dhe të kërcënojë mbijetesën e popullatës amerikane, asnjë mjek tjetër nuk respektohet më shumë sesa Dr. Fauci nga publiku. Kësisoj, sulmet ndaj mjekëve si Dr .Fauci, që përkundër të gjitha parashikimeve po përpiqet të kontrollojë përhapjen e infeksionit të Covid-19-shit, janë një rrugë që çon drejt vetë-shkatërrimit. /Burimi: The Globalis/Në shqip nga: bota.al/