Nga: Bend Andoni

Pesë vjet më parë, më 26 tetor do të ndërronte jetë akademiku Alfred Uçi. Një sëmundje që po e gërryente ditë pas dite nuk mundi ta linte të jetonte më burrin vital, që pas formimit në Universitetin “Lomonosov” për Estetikë, kishte provuar të gjithë mundësitë e krijimit në disiplinën e vet dhe ca më shumë akoma në organizimin e të gjithë strukturave të kulturës kombëtare.

Ende në rrugë tek bukinistët ambulantë shiten librat e tij botuar në kohën e socializmit dhe që shërbenin megjithë ideologjizimin e pashmangshëm si dritaret, ku shumë prej artistëve tanë këqyrën dhe morën njohuritë bazike për estetikën bashkëkohore. Kishim pedagogë të njohur si Uçi dhe kështu shkolla jonë, falë tij dhe kolegëve të vet të përkushtuar që përveç kufizimeve na përmbushte brenda konteksteve të ideologjisë me njohuritë e domosdoshme dhe kërkesa të larta estetike, do shprehej në një intervistë për RTSh, arkeologu dhe politikani Neritan Ceka.

Vetë i ndjeri do ta kujtonte shpesh me një sens humori fin, por edhe me një justifikim të gjithë paradoksin socialist, bashkë me kufizimet por edhe arritjet, ku nënkuptohej edhe sensi se kjo ishte rruga e vetme e mbijetesës asokohe. Dhe, për të treguar se kohët dhe regjimet e asaj kohe ishin konvencion i pashmangshëm jo vetëm në Shqipëri por edhe në Lindjen Socialiste, do prehej në arsyetime të gjata në estetikë por edhe studime që nuk mundi t’i parashtronte ashtu si do të dëshironte.

Estetika si filozofi e artit dhe mjet që na ndihmon të përçohemi në art ishte shumë për zemër prej tij që të parashtrohej në më të shumtën e mundshme. Artisti shqiptar duhet të njihte kanonet kryesore por edhe duhej të përmbushej në art. Dhe Uçi, do të jetë esteti shqiptar më prodhimtar jo vetëm në socializëm, por edhe pas viteve ’90, kur gjatë viteve të demokracisë botoi rreth 15 monografi shkencore mes të cilave punë të mrekullueshme për Migjenin por edhe libra me metafora të jashtëzakonshme, ku ai vendosi parabolën e Don Kishotit dhe shumë fabula të tjera.

Një burrë i ditur nga i cili mund të mësoje në shumë fusha, por mbi të gjitha në dinjitet, la një përkushtim të madh për punën por mbi të gjitha me krijimtarinë e tij shumë të gjerë. Shpesh për ta testuar nëse bashkëbiseduesi ishte në nivelin e duhur që të dëgjonte argumentin e tij, e ftonte dhe e grishte ta shtjellonte më tej mendimin, por në pak minuta, sepse pastaj do t’ia merrte sërish për t’i treguar koncepte të shkuara dhe të kohës si edhe për të hedhur dritë në art në çështjet më të ndërlikuara të zhvillimeve filozofike, estetike dhe përgjithësisht kulturologjike në rrafsh universal dhe kombëtar…

Dhe, shqetësimi që nuk do t’i ndahej në kohët e fundit ishte mungesa e leximit, që ai e haste kudo dhe që e përcillte duke të kujtuar sakrificat e panumërta për fjalën shqipe. Po vallë nuk është një shqetësim që na ndjek sot e kësaj dite?! Sikur të jetë sot e kësaj dite dhe kjo është merita e mendjeve të kthjellëta dhe vizionare, në 88-vjetorin e lindjes në disa numra të gazetës “Albania” në vitin 2004, në një shqetësim të madh publik asokohe prof. Uçi do ta braktiste shtjellën e problemeve filozofike, estetike, problemeve të teorisë, së letërsisë dhe të kritikës letrare, që megjithë dëshirën e vet dhe vështirësinë e argumentit mbartnin një auditor lexuesish të kufizuar, duke iu drejtuar këtej e tutje një auditori shumë të gjerë për një aspekt shumë të rëndësishëm të jetës të të gjithë njerëzve, problemi i madh i kohës: Kthimi te leximi!.

Dhe, shqetësimi i tij mbartet deri në ditët tona, kur ai për të tërhequr vëmendjen sidomos të brezit të ri, por dhe të familjes si qelizë bazë dhe shkollës drejt librit dhe leximit në përgjithësi jep pasazhe shpjegimi dhe shumë argumente pse na duhet leximi.

“Siç është problem kriminaliteti, korrupsioni, trafiqet, varfëria etj., është bërë problem i rëndësishëm social- kulturor dhe mosleximi, tatëpjeta e tij në përmasa friksuese. Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me shije personale, por me një plagë sociale, që dëshmon për një prirje disi të padukshme, të fshehtë ,që i kundër qëndron me forcë të madhe asaj perspektive, për të cilën flitet shumë ,për të hyrë si komb qysh në fillim të shek. XXI drejt një qytetërimi modern, për t’u integruar në Bashkimin Evropian”, do shkruante ai.

Dhe, më poshtë shtjellon atë logjikë që e shqetëson sot estetikën por edhe gjithë botën teorike të artit. “Shqetësimet dhe frika për krizë e vdekjen e artit jo vetëm tek ne, në vendin tonë, por edhe kudo në botë, kanë jetuar e ndeshur në kohët e reja nën kupolat e ideologjive dhe Pushtetit shtetëror, ekonomik e kulturor, që sillnin deformime të rënda në atmosferën krijuese të artit, nënshtrim ndaj politikës, vartësi ekonomike, kufizim lirie, ndotje anti-estetike, servilizëm oborrtar”.

Profesor Uçi do të zhvillojë e do kërkojë të identifikojë gjithëherët problematika dhe do të apelojë në shurdhërinë e institucioneve që në fund të jetës i ndjente dhe më të mëdha. Me trishtim do e ndiqte këtë evolucion negativ, porse vitet e jetës po shteronin, ndërsa pesha do i peshonte mbi vete dhe do t’ia lodhte ecjen dhe mbi të gjitha përqendrimin. Kush do e haste në ecjen e tij të përditshme në Tiranën e Re do të shkonte trishtimin e një jete të shkuar me një punë të përkushtuar, me arritje…por edhe me zhgënjimin e mungesës së vazhdimit të traditës dhe bjerrjes së shkollës. Në ato pak fuqi të mbetura do shfrytëzonte kur mundte median të shprehej, por rrokupuja e kohës fshinte shpejt gjithçka e pothuaj mbeti indiferente. Gjithsesi, studimin më të kujdesshëm ia ka bërë Dr. Zyhdi Dervishi.

Ai thotë se është tejet e vështirë që në formatin e një shkrimi të ravijëzohen tiparet dhe arritjet më të mëdha…Por ai identifikon tre elementë në korpusin e veprës së tij: “Së pari duke qenë njohës i thellë i kulturave, i qytetërimeve kryesore, i ligjësive të zhvillimit të tyre, Profesor Uçi i shqyrton doktrinat filozofike, estetike e artistike të kontestalizuara në rrjedhën e zhvillimeve shoqërore, kulturore dhe artistike etj. ..Së dyti të gjithë doktrinat filozofike, estetike analizohen në rrjedhën e evolucionit të tyre, në dinamikën e ndryshimit në procesin e përditësimit dhe; së treti ndonëse kultura shqiptare ka shtrirje gjeografike autori në gjithë krijimtarinë ka evidentuar komunikimet e kulturave të përhapura në hapësira më të gjëra me kulturën shqiptare në rrafshin filozofik, estetik dhe artistik…”.

Profesori do largohej pa zë dhe pak nga pak plot pesë vjet më parë, shpesh duke përsëritur te vetja por kudo atë që kishin dhënë rilindësit, me një degë të së cilës kishte lidhje direkte. Dhe, sërish, ai, ish-partizani 14-vjeçar që luftoi për çlirimin e Korçës, esteti, studiuesi i njohur do mbetej dhe do përçonte një mësim të thjeshtë: “Brezi i ri duhet te mësohet ta kuptoje se leximi është një investim drejt së ardhmes për një profesion të parapëlqyer, për një jetë më produktive ,për të përballuar kërkesat e shkollës, të kulturës, shkencës , qytetërimit. Njeriu që s’ lexon në kohen tone mbetet injorant, gjysmak ,nuk e gëzon lirinë, zgjedhjen e veprimit. Nëse e pranojmë leximin si punë atëherë duhet të flasim edhe për mjeshtrinë e të lexuarit. Çdo lloj pune është art ,mjeshtri më vete. Çdo mjeshtri ka sekretet e marifetet e veta. Secila dallohet për nga lloji i dijeve, i përvojës nga mjeti që përdor dhe që e drejton drejt veprimtarisë së qëllimshme. Edhe leximi si njëlloj mjeshtërie ka specifikën e vet. Ai ka një qëllim drejt së cilit synon . Është një angazhim serioz i njeriut për të, shkruan ai”. Kaq mjaftonte.