LAJMI I FUNDIT:

Kuptimi i jetës në një botë pa punë

Kuptimi i jetës në një botë pa punë

Yuval Noah Harari

Derisa punët po vjetrohen për shkak të teknologjisë, çfarë do të na mbajë të zënë në të ardhmen?


Pjesa më e madhe e punëve që ekzistojnë sot, mund të zhduken brenda pak dekadash. Teksa inteligjenca artificiale tejkalon njerëzit në shumë detyra, me shumë gjasa edhe do t’i zëvendësojë ata në shumë punë. Profesione të reja pritet gjithashtu të shfaqen: dizenjuesit e botëve virtuale, për shembull. Por, profesione të tilla do të kërkojnë më tepër kreativitet dhe fleksibilitet dhe nuk është e qartë nëse taksisti 40-vjeçar e i papunë do të arrijë të rikrijojë vetveten si dizajner botësh virtuale.

Por, problemi thelbësor nuk është krijimi i punëve të reja. Problemi është krijimi i punëve të reja, të cilat njerëzit do të mund t’i kryejnë më mirë se sa algoritmet kompjuterike. Rrjedhimisht, në vitin 2050 një tjetër klasë njerëzish do të dalë në sipërfaqe: Klasa e të padobishmëve. Njerëz të cilët nuk janë thjesht të papunë, por edhe të papunësueshëm.

E njëjta teknologji që do t’i shndërrojë njerëzit në të padobishëm, mund të jetë në gjendje të krijojë një sistem për ushqimin dhe mbështetjen e masave të papunësueshme përmes një skeme të ardhurash bazë. Megjithatë, problemi, i vërtetë do të jetë të mbahen masat të zëna dhe të kënaqura. Njerëzit duhet të përfshihen në aktivitete të frytshme, ose do të çmendeshin. Kështu, si do ta mbushë ditën klasa e padobishme?

Një përgjigje mund të jenë lojërat kompjuterike. Njerëzit e padobishëm ekonomikisht mund të shpenzojnë një sasi kohe në rritje brenda botëve të tyre virtuale 3D, çka do t’ju siguronte atyre shumë më tepër kënaqësi dhe përfshirje emocionale sesa “bota e vërtetë” jashtë. Kjo në fakt është një zgjidhje mjaft e hershme. Për mijëra vjet, miliarda njerëz e kanë gjetur kuptimin e jetës brenda lojërave të realitetit virtual. Në të shkuarën, këto lojëra i kemi quajtur “besime fetare.”

Çfarë është feja, nëse nuk është thjesht një lojë gjigande e realitetit virtual, e luajtur së bashku nga miliona njerëz?

Besimet e ndryshme, si islami dhe krishterimi shpikin ligje imagjinare, si “mos ha mishin e derrit,” “përsërit të njëjtin numër lutjesh çdo ditë,” “mos kryej marrëdhënie seksuale me dikë të të njëjtit seks,” e kështu me radhë. Këto rregulla ekzistojnë vetëm në mendjen e njerëzve. Asnjë ligj natyror nuk kërkon zbatimin e tyre. Myslimanët dhe të krishterët e përshkojnë jetën duke u përpjekur të fitojnë sa më shumë pikë në lojën e tyre të preferuar të realitetit virtual. Nëse lutesh çdo ditë, fiton pikë. Nëse harron ta bësh, i humbet ato. Nëse gjer në fund të jetës ke grumbulluar mjaftueshëm pikë, atëherë kalon në nivelin tjetër ( i njohur ndryshe si Parajsa).

Disa kohë më parë, unë isha me nipin tim gjashtëvjeçar, Matan duke kërkuar Pokemonin. Teksa ecnim në rrugë, Matan vështronte smartfonin e tij, që i lejonte atij të shihte pokemonët rreth nesh. Unë nuk pashë asnjë, por kjo sepse nuk kisha smartfon. Më pas, pamë dy fëmijë të tjerë, të cilët gjendeshin në të njëjtën gjueti dhe gati sa nuk u përfshimë në një betejë. Menjëherë më solli ndër mend ngjashmërinë me konfliktin midis myslimanëve dhe të krishterëve për qytetin e shenjtë të Jerusalemit. Kur sheh realitetin objektiv të atij qyteti, gjithçka që të zë syri janë gurë dhe ndërtesa. Shenjtëri, askund. Por, kur e sheh nëpërmjet “librave të zgjuar” (si Bibla dhe Kurani), kudo sheh vende të shenjta dhe engjëj.

Ideja e gjetjes së kuptimit të jetës duke luajtur video-lojëra, sigurisht që nuk i përket vetëm besimeve fetare, por edhe ideologjive sekulariste. Konsumimi është gjithashtu një lojë e realitetit virtual. Ti fiton pikë duke blerë makina të reja, marka të shtrenjta dhe duke i kaluar pushimet jashtë e, nëse ke më shumë pikë se të tjerët, mund t’i thuash vetes se e ke fituar lojën.

Ju mund të kundërshtoni idenë se njerëzit iu gëzohen vërtetë makinave dhe pushimeve. Kjo padyshim është e vërtetë. Por, besimtarët i gëzohen vërtetë lutjeve dhe ceremonive fetare, ashtu siç nipi im i gëzohet gjuetisë së pokemonëve. Në fund, ndjesia e vërtetë ndodh brenda trurit njerëzor. A ka rëndësi nëse neurone stimulohen nga disa pikselë në ekranin e kompjuterit, nga pamja jashtë dritares së një resorti në Karaibe, apo duke vëzhguar parajsën me sytë e mendjes sonë? Në të gjitha rastet, kuptimi që ne i japim asaj çfarë shohim gjenerohet nga mendjet tona.

Në fakt, një pjesë e veçantë e shoqërisë izraelite ofron një laborator për mënyrën e të jetuarit kënaqshëm në një botë, ku puna nuk ekziston më. Në Izrael, një përqindje e konsiderueshme e hebrenjve ultra-ortodoksë nuk punojnë. Ata e kalojnë jetën duke studiuar shkrimet e shenjta dhe duke performuar rituale fetare. Ata dhe familjet e tyre nuk vuajnë ekonomikisht, pjesërisht pasi Qeveria iu siguron rimbursime të konsiderueshme. Ndonëse shpesh ata jetojnë në varfëri, Qeveria iu ofron mbështetjen e nevojshme për kërkesat bazë të jetës.

Kjo është të ardhurat bazë universale në veprim. Ndonëse të varfër dhe të papunë, në çdo studim të kryer mbi nivelin e lumturisë gjatë jetës, hebrenjtë ultra-ortodoksë renditen gjithmonë më lartë se shtresat e tjera të shoqërisë izraelite.

Por, nuk është nevoja të shkoni gjer në Izrael për të parë botën post-punë. Nëse keni një djalë adoleshent në shtëpi, mund të realizoni eksperimentin tuaj. Sigurojini atij një minimum ushqimi me pica dhe Coca-Cola dhe hiqini çdo kërkesë për punë, apo mbikëqyrje prindërore. Me shumë gjasa, ai do të mbyllet në dhomë i ngjitur pas ekranit të kompjuterit. Nuk do të bëjë detyra shtëpie, e as punë shtëpie, nuk do të shkojë në shkollë, do të anashkalojë vaktet dhe madje, edhe dushet, apo gjumin. Megjithatë, nuk do të vuajë nga mërzia apo ndjesia e mungesës së një qëllimi në jetë.

Kështu, realitetet virtuale me shumë mundësi do të jenë çelësi për t’i ofruar një kuptim klasës së të padobishmëve në botën post-punë. Ndoshta, këto realitete do të gjenerohen brenda kompjuterëve. Por, ndoshta do të gjenerohen jashtë tyre, në formën e besimeve te reja fetare, apo ideologjive të reja.

Në çdo rast, fundi i punës jo domosdoshmërisht do të nënkuptojë fundin e kuptimit, pasi kuptimi gjenerohet nëpërmjet imagjinatës se sa nëpërmjet punës. Puna është thelbësore për gjetjen e kuptimit vetëm sipas ideologjive dhe mënyrave të caktuara të jetesës.

Por, çfarë do të ndodhë me të vërtetën? Po me realitetin? A duam vërtetë të jetojmë në një botë, ku miliarda njerëz janë të përfshirë në fantazi, në ndjekje të disa qëllimeve të paprekshme dhe duke iu bindur ligjeve imagjinare?

Besojeni ose jo, kjo është në fakt bota në të cilën kemi jetuar për mijëra vite tashmë. /Marrë nga: “The Guardian”/Përgatiti: Bjorn Runa/