LAJMI I FUNDIT:

Kulti i mikpritjes te shqiptarët

Kulti i mikpritjes te shqiptarët

Ashtu siç përfytyrohet shqiptari me plisin e bardhë mbi kokë, me kullën e tij e me odën e tij, me lahutën e çiftelinë, ashtu ai dallohet edhe ne mikpritjen e tij proverbiale. Madje, mikpritja shqiptare është ngritur në kult. Ky tipar sa etnik, aq edhe universal, që mbështetet tek të qenët mikpritës për të pritur e përcjellë miq me përzemërsi, mbetet vlerë e përhershme dhe e rëndësishme njerëzore

Prend BUZHALA


Te “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, thuhet se “Shpia e shqyptarit asht e Zotit dhe e mikut” (Paragrafi 602). Frrok Kristaj te vepra e tij “Buka e Zymit” thotë se Gjeçovi te banorët e kësaj treve e gjeti shprehjen që i bëhet mikut për mirëseardhje me “Bukë e krypë e zemër” (Paragrafi 608): “Bile thuhet se ‘Kur të vjen miku në shtëpi, e hanë bukën e vet’, por edhe se ‘Mysafiri vjen me nëntë të mira, tetë i le te miku që e viziton, kurse vetëm me një kthehet’, që do të thotë se mysafiri sjell bereqete në shtëpinë që shkon. Ndaj, po të hyri miku në shpi, gjak të ketë pasë borxh, do t’i thuash ‘Mirë se erdhe’. Nga kjo del se edhe sot njihet dhënia e bukës dhe mikpritja e hasjanëve.” Kështu, në Zym të Hasit mbahet manifestimi i festës së bukës, me titullin Buka e Zymit. Madje, do të thoshim se miku dhe buka trajtohen njësoj si rregulla të kodifikuara e më vete në këtë traditë. Mbase, e vetmja ndër shumë këso zakonesh, ka mbijetuar kjo e mikpritjes dhe bukës, qoftë edhe në meset urbane.

Te Kanuni jepen edhe këso formulimesh, që shërbejnë si kod i mikpritjes shqiptare:

“§.609. Buka e krypa e zêmra, zjarmi e trungu e do firi per shtrojë do të gjindet gadi per mik në çdo kohë të natës e të ditës” (LD).
§.611. Per çdo mik duhet buka si hàn vetë.
§.612. Per mik të mirë duhet kafja, rakiia e buka e shtrueme me ndo’i send mâ teper.
§.629. Po bani ndo’i pûnë të keqe miku në bukë tande, arsyeja lypet prej teje. “
“Mikut i lshohet kryet e vendit”.

Në Kanun përmenden edhe këto kodifikime:

“Po të hîni miku në shpi, gjak me të pasë, do t’i thuejsh: Mirë se erdhe!,”
“Miku do të perciellet deri kû të lypë me e percjellë,”
“Po bani ndo’i pûnë të keqe miku në bukë tande, arsyeja lypet prej teje,” etj.

Mikpritja, pra, mbetet veçori e përhershme dhe i rëndësishme e traditës sonë në secilën kohë. Të huajt që i kanë vizatuar këto vise ndër shekuj, e kanë çmuar popullin tonë për mikpritjen e tij. Pavarësisht se a jeton në fshat apo qytet, shqiptari është mikpritës. Është kjo, një traditë e lashtë sa vetë populli ynë. Akademik Mark Krasniqi ia ka kushtuar një studim të tërë monografik kësaj karakteristike të popullit tonë, me titullin “Mikpritja në traditën shqiptare” (ASHAK, Prishtinë 2005). Ndër të tjera, duke e ko nsideruar Kanunin e Lekë Dukagjinit si burim të traditës së lashtë, ai thotë:

“Tradita e mikpritjes ka lidhje të ngushtë me karakterin e shqiptarit. Në psikologjinë e tij elementi kryesor është nderi, faqja e bardhë, që lidhet me shumë komponente, të cilat e përbëjnë nderin e burrit, siç janë – besa, mikpritja, trimëria, e vërteta, drejtësia, zemërgjerësia, toleranca, trimëria, atdhedashuria etj., të cilat janë parimet e jetës, karakteristikat kryesore kombëtare të popullit shqiptar.”

Kështu studiuesi japonez i Kanunit të lekë Dukagjinit, Kazuhiko Yamamoto, te vepra e tij Kazuhiko Yamamoto, konceptin mik e sheh të pandarë nga koncepti bukë. Që nga antika ka pasur njerëz udhëtarë që kanë trokitur në derë për bukë apo për bujtje. Te epet homerike lexojmë pjesë që e konsiderojnë mikun si qenie e shenjtë që e dërgon Perëndia, ashtu sikundër në Bibël Perëndia shfaqet si mik kur i paraqitet Abrahamit (cituar sipas Xhafer Martinit: “Kanun”, botoi Dita, Tiranë 2013, vepër me studime albanologjike nga trashëgimia kulturore). Ky autor shtjellon edhe konceptin e mikut-perëndi, si traditë e popujve të lashtë: “Ky lloj miku ekziston edhe në mendësinë e popullit tonë. Ky Mik-Perendi në Dibër njihet me emrin Hizri, i cili vjen t`u bëjë të mira njerëzve, por u bën mirë
vetëm atyre që e nderojnë, e respektojnë dhe i japin bukë, që e shtrojnë në sofër edhe kur sofra nuk është e pasur.” Së këndejmi, nuk është e rastësishme pse te vepra poetike “Bagëti e Bujqësia” e Naim Frashërit gjemë një përshkrim të tillë për mikun që e dërgon perëndia:

Edhe jashtë fryn e bije, por kur na trokëllin dera:
Eshtë nj’udhëtar i gjorë, që ka mbetur në dëborë,
I kanë ngrirë të mjerit vesh’ e goj, e këmb’ e dorë;
Ngrihet i zot’i shtëpisë edhe të huajthin e merr,
E vë në kryet të vatrës me njerëzi, me të math nder,
Posa e shohënë që vjen, i ngrihen gjithë fëmija,
Se të huajnë më derë na e dërgon Perëndia,
Pa i bëjnë zjarr e ngrohet edh’e mbajnë me të mirë,
I sjellin shtresë të flerë edhe të ngrën’ e të pirë.

Kështu të huajt’ e miqtë njeriu q’është i uruar
I pret me krahëror hapur e i përcjell të gëzuar.

Mikpritja, pra, ka rregullat e veta, por e ka edhe etikën e vet për ta pritur tjetrin sa më mirë e të ndjehet mirë. Dhe nuk është quajtur kot edhe virtyt i rrallë, jo vetëm ndër ne, por kudo në botë.

Te “Lahuta e Malcis” e Gjergj Fishtës përgjatë gjithë veprës ka vargje e episode që e lartësojnë mikpritjen dhe mikun. Shqiptari e ka të fortë etikën e mikpritjes, prandaj ai është edhe mbrojtje e mikut:

Veç, po, ‘i punë baba m’ ká msue;
Miqt per t’ gjallë un mos me i lshue.
Po t’ më lypë halija mue
Gjithkû e kam un gjân e babës,
Po i a lshoj me mal e vrrí,
Po i a lshoj t’eger e t’ butë:
Po i lshoj token me gjith shpí,
Po i lshoj plemet me tagjí,
Po i lshoj vathen me bagtí,
Dhên e dhíunpo ia fali:
Erz e shpírt e mik s’ i fali!

Ekzistojnë edhe situata kur shqiptari e përjeton si situatën më të rëndë kur miku troket në derë dhe mungon buka e që flet mjaft për karakterin dhe psikologjinë e kombit tonë, siç janë këto vargje te këngët tona kreshnike:

Mbet e i foli Krajle Kapedani:
– A p’e shef, Halil, dekën me sy?
Kurr ma ngusht, Halil, a thue, je kanë?
Sa kuvend burrash djali paska shtrue:
– Pa nigjo, more Krajle Kapedane!
’â ngusht njeri deri n’ditë të dekës,
Deka vjen mbas mikut t’pre,
Deka vjen mbas besës s’thyeme,
A ‘i kue bukë mos t’kesh për mik.

Njeriun nevojtar e ndihmon dhe i jep mbështetje secila shoqëri dhe secila kohë. Kështu porosititin edhe librat e shenjtë si Bibla e Kurani. E vërteta është se normat e Kanunit, përgjithësisht edhe këto të mikpritjes, ndryshojnë nëpër kohë., ashtu sikundër ndryshojnë edhe kushtet shoqërore apo ato kulturore.

Populli ynë ka shumë fjalë të urta kushtuar mikut e mikritijes. Arbëreshet e Italisë thonë: “Më i mirë një mik, se njëqint dukatë”, kurse në Jugë të Shqipërisë ekzistojnë ndër shumë të tjera këto thënie: “Mik’i mirë të nderon shtëpinë. Mik’i vjetër s’hidhet poshtë. Mik të ri gjen kudo, të vjetrin mos e harro. Miku i vërtetë s’blihet me kuletë. Mikun ta sajdisësh ashtu si është.

Ndërkaq në Veriun e Shqipërisë e në Kosovës thonë: “Miku â si pitja, shoqi â si krypa. Miku asht baras me shpirtit të njeriut. Miku asht mik derisa s’të përzihet në hallet e shpisë. Miku asht mjalti dhe fqija asht krypa. Miku asht vëlla pa hise. Mikut të mirë mos ia kurse nderën.”

Sado që disa norma të saj ndryshojnë nëpër viset shqiptare, të përbashkëta mbeten bujaria dhe nderimi për mikun. Zaten, këto janë edhe vlera të përhershme që vejnë për secilën kohë.

Frrok Kristaj, Buka e Zymit, monografi, SHSH “Shtjefën Gjeçovi, Zym, 2021.

/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Vrasja e Liridona Ademajt - edhe dy muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët, i dyshuari i katërt mbrohet në liri

Vrasja e Liridona Ademajt - edhe dy muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët, i dyshuari i katërt mbrohet në liri

Drejtësi
Protestuesit hyjnë në Kuvend me pankarta për të drejtën e votës së emigrantëve, hedhin letra drejt deputetëve

Protestuesit hyjnë në Kuvend me pankarta për të drejtën e votës së emigrantëve, hedhin letra drejt deputetëve

Lajme
Siljanovska: Nuk do t'i largojë tabelat Maqedonia e Veriut, dhe do ta përdor vetëm Maqedonia

Siljanovska: Nuk do t'i largojë tabelat Maqedonia e Veriut, dhe do ta përdor vetëm Maqedonia

Politikë
Mentor Latifi emërohet ambasador i Kosovës në Zvicër

Mentor Latifi emërohet ambasador i Kosovës në Zvicër

Lajme
A po kushtëzohet anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës me themelimin e Asociacionit?

A po kushtëzohet anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës me themelimin e Asociacionit?

Elfije Boletini
Aktivisti i Luginës, Muharrem Salihu kandidati i parë nga Italia për zgjedhjet në Parlamentin Evropian

Aktivisti i Luginës, Muharrem Salihu kandidati i parë nga Italia për zgjedhjet në Parlamentin Evropian

Lugina
Kalo në kategori