LAJMI I FUNDIT:

Kulla e Sheremetit nga një kullë fisnike në një burg famëkeq për shqiptarët

Trashëgimia kulturore, përfaqëson një aset të fuqishëm shtetëror për Kosovën. Shumë qytete të Kosovës kanë një trashëgimi të pasur kulturore, me të cilën e kujtojnë dhe e mbajnë gjallë historinë e vendit ndër shekuj.

E një prej tyre është edhe kulla e Sheremetit në Pejë, e që padyshim historia që bartë ajo me vite në gurët e saj është e dhimbshme.


Arkeologu Sefer Lajçi, thotë që kjo kullë në vitet e pushtimit jugosllavë, ka shërbyer si burg famëkeq ku janë torturuar mizorisht shqiptarët.

“Këtu jemi në kullën e Sheremetit, një kullë me një rëndësi të veçantë. Kjo kullë i takon shekullit të XVIII, rëndësi e kësaj është se po flasim për një  kullë të një familje Sheremti, familje e ardhur nga  Sheremetajt e Gjakovës. Një familje e pasur, dhe kulla e tyre jo vetëm që ka shërbyer si shtëpi e tyre por edhe më vonë edhe si burg. Dita e hënë 11 gusht 1947,  ditë e zezë për qytetin e Pejës ku në këtë hapësirë ishin të burgosur 100 shqiptarë patriotë dhe intelektualë të shquar të cilët kundërshtonin pushtetin serbo-sllavë të asaj kohe, torturoheshin”, rrëfeu Lajçi.

Kulla e Sheremtit, Pejë

Sipas Lajçit përveç torturës brenda burgut të kullës së Sheremetit shqiptarët intelektualë dhe patriotë të cilët ishin anti-komunist, u vranë pamëshirshëm kurse gjaku dhe kufomat e tyre u lanë rrugëve të Pejës për javë të tëra.

“ 11 gushti i 1947, ishte ditë kur porta e kësaj kulle ishte lënë hapur qëllimisht. Kurse kur të burgosurit filluan që të dalin nga kjo kullë pra nga ky burg, gjatë kësaj kohe  pozicionimet e pushtetit ishin tek “Ura e Zallit”, dhe në disa pjesë të qytetit. Dhe me largimin e të burgosurve ata i vranin kudo që i takonin ata, rrugëve duke ikur . Kjo e dëshmon faktin se nëpër lagjet e qytetit të Pejës për mëse dy javë mbetën kufomat e pavarrosura të  ekspozuara. Pas dy jave kur aroma e kufomave kundërmonte, pushteti e detyroi kompaninë e pastrimit të qytetit t’i marr këto kufoma dhe t’i varrosë jashtë qytetit. Të burgosurit dhe të vrarit ishin nga të gjitha trojet shqiptare”, theksoi ai.

Pesha e historisë dhe vetë koha, kanë bërë që gurët e saj të bien në tokë, e tani ajo është e “pushtuar” nga mbeturinat, bari dhe shkurret e larta për shkak të mos kujdesit dhe mos-restaurimit nga ana e shtetit .

“Mjerisht kjo kullë sot, është në një gjendje mjaft të rëndë dhe nga kjo nënkuptohet, që sa më parë të zgjatet dora nga institucionet përgjegjëse. Të bëhet renovimi i kullës së Sheremetit,  për të mos i harruar ata që ishin dhe dhanë jetën këtu”, porositi ai.

Përveç që kishte shërbyer si burg kjo kullë, Haxhi Zeka e kishte përdorur mullirin e kësaj kulle për të ushqyer ushtarët shqiptarë, të cilët luftonin armikun në beteja të gjata dhe të përgjakshme.

“Haxhi Zeka në organizimin e luftës për mbrojtjen e territoreve shqiptare të katër dhjetorit të vitit 1879, siç është lufta e Nokshiqit. Ku mullirin e kësaj kulle e kishte përdorur për të bluar dhe për t’ua dërguar miellin ushtarëve shqiptarë që luftonin atje, apo siç njiheshin si “Ushtria e Bardhë”, për shkak të plisave të bardhë që mbanin”, përfundoi Lajçi./Telegrafi/