LAJMI I FUNDIT:

Kujtesë, 15-vjetori i vdekjes së Hysen Tërpezës (1910-2002): Besnik i idealit të Shqipërisë etnike

Kujtesë, 15-vjetori i vdekjes së Hysen Tërpezës (1910-2002): Besnik i idealit të Shqipërisë etnike

Hysen Tërpeza, i cili ditë më pare ndërroi jetë më 23 qershor 2002, në moshën 92-vjeçare, ishte anëtar dhe bashkëpunëtor i figurave më të mëdha të Ballit Kombëtar, si: Mithad Frashëri, Abaz Ermenji, Vasil Antoni, Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva. Ai ishte edhe pjesëmarrës në mbledhjen historike të Mukjës (1943). Për shkak të veprimtarisë së tij politike, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ishte i detyruar ta braktiste atdheun, për t’u kthyer në Kosovën e çliruar 54 vjet më vonë, më 1999.

Hysen Tërpeza u lind në fshatin Tërpezë të komunës së Vitisë, në vitin 1910. Historia politike e Hysen Tërpezes nis si kryetar i Komunës së Pozharanit, pas regjimit të Mbretërisë jugosllave. Në bisedat me të, atij shpesh i riktheheshin skenat e vitit 1917, kur forcat serbe kishin masakruar banorët e fshatrave të Vitisë. Në fshatin e tij ata kishin vrarë shtatë shqiptarë, ndër të cilët edhe axhën e tij, Ibrahimin. Ai kujtonte me lot në sy, se si në ato masakra, e gjithë Kosova po lahej me gjak.


SHTEGTIMET NË DHEUN E HUAJ

Kur i kishte vetëm shtatë vjet, familjen e tij dhe të shumë bashkëkombësve tjerë, regjimi serb e kishte nisur për në Ferizaj, prej nga janë nisur në Shkup, Austri, e pastaj në Bullgari. Në Bullgari i kishin vendosur në fshatin e quajtur Cerlanovo, ku tifoja u kishte rënë shqiptarëve. Shqiptarët e internuar ishin pa bukë dhe shumë nga ta vdesin. Kufomat e tyre pastaj u hidheshin qenve. Nga familja e Hysenit ishin nëntë anëtarë të internuar; kah fundi i vitit 1918 kishin mbetur vetëm katër.

Më 23 nëntor të vitit 1918, shqiptarët e internuar nisen për në Turqi, në qytetin Edrene, mirëpo ndër 125 shqiptarët që kthehen në Kosovë, nga gjithsej 900, ishin edhe familjarët e Hysen Tërpezes. Me t’u kthyer, babai i Hysen Tërpezes kishte dalë kaçak, në malet e vendlindjes. Më vonë është kapur dhe është dënuar me 12 vjet burg, për t’u amnistuar me qindra shqiptarë të tjerë në vitin 1921.

Hysen Tërpezës, në takimet e vitit 2000 dhe 2001, i kujtoheshin momentet e kapitulimit të mbretërisë jugosllave, kur, siç shprehej ai, me ardhjen e italianëve dhe më pas të gjermanëve, populli shqiptar i Kosovës, i Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi, kishte marrë frymë më lirshëm, duke shpresuar çlirimin. Ai tregonte se kufiri mes ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë Etnike ishte në fshatin Prilluzhë. Madje, edhe treni i cili qarkullonte në linjën Beograd-Prilluzhë- Gërlicë, mbante mbishkrimin Albania. Në këtë kohë shqiptarët ishin emëruar për kryetar të komunave.

Është për t’u veçuar fakti se në këto vite formohen edhe këshillat për pajtimin e gjaqeve. Në krye të këtij këshilli, për Komunën e Pozhoranit, ishte vënë Hysen Tërpeza. Atë e kishte emëruar Jahja Beqa, nga Shqipëria, i emëruar për prefekt të Gjilanit (i zëvendësuar më vonë nga Rifat Berisha).

Në një udhëtim për Tiranë, Hysen Tërpeza ishte takuar me atdhetarin Ilaz Agushin. Në këtë periudhë, Hysen Tërpeza e kishte takuar atë edhe Fadil Hoxhën, i cili ishte i emëruar mësues në fshatin Hogosh të Dardanës. Gjatë takimit, ku kishin marrë pjesë edhe Kurtesh Agushi dhe Xheladin Kurbaliu, Hysen Tërpeza i kishte thënë Fadil Hoxhës: “Dëgjo Fadil, ti je rritur dhe shkolluar në Shqipëri, andaj nuk i njeh serbët si unë. Ne kurrë nuk mund të bashkohemi me ta, sepse interesi ynë ishte dhe është shqiptaria, prandaj nuk kemi dëshirë që të vritemi mes veti”.

LUFTA E DYTË BOTËRORE

Hysen Tërpeza tregonte se derisa ishte kryetar i Komunës së Pozhoranit, e kishte punësuar në detyrën e evidentuesit Sinan Hasanin, të cilin pas disa ditëve kishte e larguar nga puna duke ia dhënë një shuplakë fytyrës, sepse kishte zënë lidhje të fshehta me komunistët serbë. Nga ajo periudhë është interesant edhe takimi i tij me prefektin e Prishtinës, Riza Drinin, takim ky i mbajtur më 20 korrik 1942. Riza Drini i kishte thënë Hysen Tërpezes se bashkimi me Serbinë është humbja më e madhe për shqiptarët. Riza Drini e kishte paralajmëruar Hysen Tërpezes se “fati i Kosovës dhe i gjithë Shqipërisë do të jetë në duar të sigurta, atëherë kur do të kemi shkollarë të mire”.

Hysen Tërpeza rikujtonte ngjarjet historike, kur pas rënies së Italisë, në vitin 1943, kishte filluar konflikti i hapur mes komunistëve shqiptarë dhe forcave të Ballit Kombëtar. Hysen Tërpeza është i vetmi shqiptar nga Kosova që kishte marrë pjesë në Mbledhjen e Mukjës:

“Në Mukje u mbajt një mbledhje për bashkimin kombëtar të të gjitha forcave për çrrënjosjen e armikut. Pas mbledhjes, e cila u prish me insistimin e jugosllavëve, forcat e Ballit filluan të sulmoheshin nga komunistët… Kjo luftë kishte marrë dimensione, sidomos në viset e Shqipërisë. Në ndërkohë, Xhafer Deva përpiqej të binte në kontakt me përfaqësuesit e PKSH-së, për kot “.

Në shtator të vitit 1944, Hysen Tërpeza me repartet e veta të armatosura kishte marrë pjesë në luftimet e ashpra kundër forcave komuniste që kishin rrethuar Preshevën. Ndërkaq, nga fillimi i muajit nëntor 1944, në Gjilan e kishte thirrur për takim pune Fuad Dibrën, komandant i Shtabit të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Dibra e kishte njoftuar se ushtria do të shpërngulej për në Shqipëri, sepse atje po zhvillohej luftë civile. Lutjet e Hysen Tërpezes që të mos ndërmerrej kjo komandë dhe të lihej nën mëshirën serbe popullata shqiptare, nuk kaloi, sepse urdhrin për këtë e kishte dhënë Xhafer Deva.

Sipas dëshmive të Hysen Tërpezes, forcat ushtarake shqiptare, duke kaluar nëpër Prizren, janë sulmuar nga forcat komuniste serbe, me ç’rast ishte vrarë edhe vetë komandanti Fuad Dibra. Ndërkaq, forcat e Hysen Tërpezes, në janar të vitit 1945 kishin sulmuar forcat partizane, të cilat përpiqeshin të bashkoheshin e të avanconin në drejtim të Drenicës, për t’iu bashkangjituir njësiteve tjera partizane në luftë kundër brigadës së Shaban Polluzhës.

LARGIMI NGA KOSOVA

Pas kapitulimit të Gjermanisë naziste, pozitat e ushtarëve të rezistencës shqiptare, pra edhe të njësiteve të Hysen Tërpezes, ishin dobësuar dhe nuk kishin perspektivë. Ndërkohë, komunistët nga Tirana dhe nga Beogradi i kishin propozuar Tërpezes që të dorëzohej tek Ali Shukria dhe Shefqet Peqi (major nga Shqipëria). Takimi i Hysen Tërpezes me Ali Shukriun dhe Shefqet Peçin u bë kah fundi i muajit maj, 1945, në fshatin Cërnicë. Hysen Tërpeza rikujtonte këtë takim: “Në fillim vërtet u frikësova, se mos po na tradhtojnë. Në hyrje të odës i lash 7 trimat e mi që të bëjnë roje së bashku me partizanët”. Ali Shukriu, i cili i kishte kërkuar Hysen Tërpezës që të dorëzohej me luftëtarët e vet, kishte thënë se “të garantojmë me besë që nuk do të dënojmë”. Por, Hysen Tepreza ishte përgjigjur shkurt dhe qartë: “Ne nuk jemi fashistë, e as nazistë dhe nuk kemi për çka të frikohemi. Ne jemi shqiptarë që luftuam dhe do të luftojmë për një territor etnik shqiptarë, pa perzierjen me serbët dhe malazeztë”.

Pas kësaj bisede të pasuksesshme me komunistët, Hysen Tërpeza me bashkëluftëtarët i kishin shtrënguar radhët me mjete dhe njerëz. Ndërkohë, kishin formuar një komitet lufte e më pas kongresin, në të cilin kanë marrë pjesë edhe Din Hoxha, Ibrahim Kelmendi, Luan Gashi, Bajram Begunca… , si dhe pesë batalione lufte. Lufta është zhvilluar në malet e Tërpezes. Nacionalistët shqiptarë kishin pak forca, ndërsa partizanët komunistë ishin me mijëra. Pasi kishin vlerësuar se vazhdimi i rezistencës ishte pa efekte dhe thuajse i pamundshëm, Hysen Tërpeza me ushtarët përcaktohet për tërheqjen nga Kosova. Rruga i shpie kah Greqia e më pas kalimi në Perëndim.

Kështu, sipas shënimeve historike, në dhjetor të vitit 1945, Hysen Tërpeza me një numër bashkëluftëtarësh kishte kaluar në Greqi, prej nga kishin marrë rrugën e gjatë në emigracionin politik. Jetoi gjatë në Turqi, Itali, SHBA, Zvicër… Në vitin 1966, në Kongresin e Lidhjes së Prizrenit, u zgjodh nënkryetar, ndërsa kryetar Xhafer Deva.

KORRESPENDENCA ME BILL CLINTONIN

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysen Tërpezën, e kishte gjetur në Zvicër. Prej atje, edhe pse në moshë të thyer, Hysen Tërpeza vuante dramën e madhe të popullit shqiptar, duke përkrahur në çdo takim e paraqitje publike djemtë e lirisë.

“Jam gëzuar si fëmijë dhe kam derdhur lot gëzimi kur mora lajmin se në malet e Kosovës ka dal UÇK-ja. Po të mos ishte UÇK-ja, nuk do të kishte Kosovë të lirë, nuk do të kishte NATO në anën tone”, thoshte ai.

Bashkëkohanikët e tij, rikujtojnë se Hysen Tërpeza gjithnjë ishte optimist për çlirimin e Kosovës. Por, Hysen Tërpezës nuk i qetësohej shpirti, siç thoshte ai, derisa e gjithë kjo një ditë të bëhet Shqipëri, që ishte ideali i madh i Programit të Ballit Kombëtar dhe të nacionalizmës shqiptare.

Në një takim, në pranverë të vitit 2001, Hysen Tërpeza, tek po i shkonin lotët e gëzimit për Kosovën e çliruar, rikujtonte letrat që ia kishte dërguar ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, nga i cili kërkonte veprime më energjike për çlirimin e Kosovës. Me shumë respekt ai mbante letrat që Clintoni ia kishte dërguar atdhetarit tonë të devotshëm, Hysen Tërpeza.

Në vjeshtë të vitit 2000, në emër të unitetit kombëtar, Hysen Tërpeza u kishte dërguar letër liderëve partiakë të Kosovës, kurse në një takim politik të PDK-së, është takuar, pas gati 50 vjetësh, me Fadil Hoxhën, ku sipas dëshmitarëve, të dytë pajtohen në emër të shqiptarisë! Me një akt të tillë, Hysen Tërpeza, një nga emblemat e atdhetarisë shqiptare, kishte dhënë shembull si duhet të falet, të harrohen hasmëritë dhe inatet, sa here që këtë e kërkon atdheu. /Agim Zogaj/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

Politikë
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Bujar Osmani shpall fitore: Dallimi është mbi 40 mijë vota ndaj Taravarit

Bujar Osmani shpall fitore: Dallimi është mbi 40 mijë vota ndaj Taravarit

Politikë
Zgjedhjet në RMV, Abdixhiku: Sikur shqiptarët të bëheshin bashkë me një kandidat, sot do të ishin në balotazh

Zgjedhjet në RMV, Abdixhiku: Sikur shqiptarët të bëheshin bashkë me një kandidat, sot do të ishin në balotazh

Lajme
Del rezultati përfundimtar në Gostivar, këto janë rezultatet

Del rezultati përfundimtar në Gostivar, këto janë rezultatet

Politikë
Iu mori shokëve një milion euro duke mashtruar për vetëvrasje:

Iu mori shokëve një milion euro duke mashtruar për vetëvrasje: "Unë po i jap fund jetës, amanet gruan dhe dy djemtë"

Lajme
Kalo në kategori