LAJMI I FUNDIT:

Kujdes oral Po, panik Jo!

Kujdes oral Po, panik Jo!

Dentistët duhet të jenë në dispozicion në klinikat publike shtetërore dhe sipas nevojës, të japin këshilla për kujdesin përmes shkrimeve dhe udhëzime individuale përmes telefonit

Dr. Spec. Arianita Shala – Zeka
044/695-002 (për këshilla)


Sëmundja e coronavirusit, që nga 11 marsi i këtij viti, konsiderohet pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetit, meqë ka “nivele alarmante” të përhapjes.

Shpërthimi i fundit që është karakterizuar si pandemi ishte H1N1, ose gripi i derrave, në vitin 2009. Situata rreth coronavirusit është duke evoluar dhe në vendin tonë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme shëndetësore, duke përfshirë thirrjen për vetë- izoloni në shtëpi, andaj edhe shumica e klinikave private e kanë pezulluar kujdesin dentar për të paktën 14 ditët e ardhshme.

Si gjithmonë, pritet që dentistët të vazhdojnë të jenë në dispozicion në klinikat publike shtetërore dhe sipas nevojës këshilla për kujdesin përmes shkrimeve dhe udhëzime individuale përmes telefonit.

Si profesionistë shëndetësor, e kemi për obligim që me rastin e kësaj emergjence historike shëndetësore publike, të japim kontribut për përmirësimin e gjendjes, të paktën, duke dhënë këshilla të dobishme që ndihmojnë në ngadalësimin e përhapjes së virusit.

Qytetarët duhet t’i ndjekin me përpikëri gjitha rekomandimet e dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë, të cilat besoj janë të njohura për secilin tashmë.

Qëndroni në shtëpi për të pakën dy javë dhe gjatë kësaj kohe, kujdesuni edhe për shëndetin oral. Pra, duhet vazhduar që të kemi kujdes të shtuar për gjendjen orale.

Larja e dhëmbëve duhet të bëhet rregullisht, pas çdo vakti. Ndërrojini brushat mundësisht dhe mos i lini afër njëra-tjetrës.

Pastrojeni edhe gjuhën me brushë dhe shpërlajeni mirë gojën.

Përdoreni perin dental në zonat në mes të dhëmbëve ku nuk depërton brusha. Dhe shpërlajeni gojën dhe fytin me dezinfektues oral (për ata që e kanë në shtëpi p.sh Listerine) apo me sodë bikarbonati dhe çaj kamomil të vakët.

Edhe uji i kripur është një metodë mjaft efektive e shpëlarjes së gojës.

Sa më shumë, këto ditë, shmangni ushqimet me sheqerna artificiale, sepse ato më së shumti ndikojnë në zhvillimin e baktereve dhe viruseve, përkatësisht në prishjen e dhembjeve. Që në situatën në të cilën gjendemi duhet ta shtojmë kujdesin maksimalisht.

Në rast të dhimbjeve të lehta të dhëmbëve mundtë përdorni analgjetikë, si paracetamoli.

Janë edhe disa metoda shtëpiake që zvogëlojnë dhimbjet e lehta, si përdorimi i kompresave të ftohta, aplikimi i tyre mund t’i zvogëlojë inflamacionet dhe ënjtjet.

Por, në raste emergjente, me dhimbje më të mëdha dhe probleme tjera me dhëmbë apo gojë, me kujdes të shtuar dhe duke i respektuar gjitha udhëzimet, duhet të paraqiteni para shtëpive të shëndetit dhe Qendrës Universitare Klinike Stomatologjike.

Duke ju dëshiruar që ta kaloni pa panik këtë gjendje, ju ftoj edhe një herë që të shmangni daljet përveç në raste emergjente.

Mbani distancë nga njëri-tjetri, pa shtrëngim duarsh e përqafime, pastroni duart sa më shpesh dhe më gjatë.

Ajrosni shtëpinë, mbani higjienën personale dhe respektoni rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë. /Telegrafi/