LAJMI I FUNDIT:

Kufiri i ri i marrëzive: Bëje shpejtë një faqe me “Fake News”!

Kufiri i ri i marrëzive: Bëje shpejtë një faqe me “Fake News”!

Eugenio Cau

Duhet kurajë për të bërë atë që bëri presidenti i porsazgjedhur i Francës, Emmanuel Macron, që ia përplasi në fytyrë Vladimir Putinit se dy vektorët kryesorë të ideologjisë putiniane në botë, rrjetet televizive dhe digjitale RT dhe Sputnik, janë instrumente “të propagandës dhe lajmeve të rreme”.


Macron ka qenë gjithmonë shumë i ashpër me mediat pranë Kremlinit, që u përpoqën në shumë mënyra – gjatë fushatës së fundit elektorale – të influenconin votën e francezëve duke përhapur lajme të pathemelta dhe të rreme, të krijuara mjeshtërisht (më i famshmi thoshte se Macroni ishte kandidat i një “lobi misterioz homoseksualësh”, pjesëtar i të cilit ishte edhe vetë Macron).

Fitorja e kandidatit liberal duket se i ka treguar botës efikasitetin e teknikës së parë dhe më të thjeshtë të mbrojtjes kundër broçkullave: përgënjeshtro, zbulo gënjeshtrën, ngri një mur mes të vërtetës dhe të rremes. Nëse është e mundur kufizo qasjen në media të përhapësve të gënjeshtrave – gjë që e bëri fushata e Macronit, duke ndaluar akreditimin e gazetarëve rusë dhe hyrjen në aktivitetet elektorale.

Por, në Francë, fuqia e zjarrit e faqeve populiste që përhapin lajme të rreme ka qenë në përgjithësi e kufizuar dhe për këtë arsye strategjia e Macronit pati sukses.

Amerika është në një nivel krejt tjetër. Buzzfeed ka treguar këtë javë për ekzistencën e të ashtuquajturave faqe “Prank News” (lajme të rrejshme), ku cilido mund të krijojë faqen e vet “Fake News” brenda pak minutash. Vendoset një titull, një tekst dhe një fotografi dhe shërbimi krijon një faqe që duket si “homepage” (ballina) në një faqe lajmesh. Qëllimi mendohet të jetë ai i përhapjes së lajmeve me humor – në një format që duket si ai i një faqeje informacioni, por rezultati ka qenë ai që ka bërë të mundur për të gjithë krijimin e “Fake News”.

Edhe një fëmijë që nuk ka kurrfarë njohurie teknike mund të ndërtojë një faqe me “Fake News”, për ta përhapur në shkallë të gjerë. Me një instrument të tillë, dëmet janë të menjëhershme: “Dhjetëra restorante në Amerikë janë akuzuar se u kanë shërbyer klientëve mish njeriu”! “Kanë dalë lajme për peshkaqenë gjigandë në lumenj me ujë të ëmbël”! “Lajm për zinxhirë dyqanesh që i mbushin pulat e pjekura me kokainë”…

Në ndryshim nga gënjeshtrat më profesionale, ato amatore hedhin poshtë çdo përpjekje për t’i bërë të duken të besueshme: çdo lajm pjellë e fantazisë është i pamundur dhe i padenjë për t’u botuar dhe pikërisht këtu sistemi i përsosur që bashkon “Fake News” me viralitetin shfaq një pikë të dobët.

Për momentin, secila prej marrëzive dhe broçkullave amatore ka qindra-mijëra pëlqimeve në Facebook. Por, nëse më parë ekosistemi i gënjeshtrave u shërbente operatorëve me mend, të cilët i njihnin limitet brenda të cilëve shtynin dhe e dinin që duhet të përzienin një dozë të të vërtetës dhe të gënjeshtrës, me qëllim që t’i bënin mjaftueshëm të besueshme, tani që gënjeshtrat mund t’i botojnë të gjithë në formë lajmesh, lind pyetja: po sikur lajmet e rreme të mbysnin lajmet reale?

Hipoteza është kjo: nëse vërshimi i lajmeve të rreme të pasofistikuara – pra të tepruara dhe të pagjasa, si ai i restoranteve që shërbejnë mish njeriu – do të intensifikohej deri në pikën ku do të bëhej i papërballueshëm, a ekziston mundësia që edhe lexuesit më të ditur të imunizoheshin? Që, duke kaluar nga marrëzia në marrëzi, të fillojnë të kuptojnë natyrën e ekzagjeruar dhe mashtruese!

Sa lajme mbi pulën dhe kokainën duhet të lexojnë dhe të ndajnë, para se të fillojnë të dyshojnë se ndoshta s’janë të vërteta – ose më mirë: para se të mbërrijnë tek ngopja dhe mërzia nga sensacionalizmi si qëllim në vetvete? /Il Foglio/Bota.al/