Në raport thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës kishte dyshime vetëm për disa, prej më se 1.000 organizatave joqeveritare për aktivitete në lidhje me terroristët dhe autoritetet morën masa për të parandaluar shfrytëzimin e këtyre organizatave nga ekstremistët, disa prej të cilave edhe nën petkun e fesë.

Policia e Kosovës dhe njësia e UNMIK-ut kundër terrorizmit ishin kryesisht përgjegjëse për kontrollin e kësaj veprimtarie, por ishin të vogla në numër dhe me mungesë mjetesh.

Me transferimin në muajin dhjetor të përgjegjësive nga UNMIK-u tek EULEX-i, një pjesë e këtyre përgjegjësive i kaluan këtij të fundit. Përpjekjet e këtyre autoriteteve, thuhet në raport, vazhduan të përqendroheshin në ngritjen e njësive dhe stërvitjen e pajisjen e forcave, si dhe në grumbullimin e informacionit për kërcënimet e mundshme terroriste.

Kufijtë porozë, thuhet në raport, kanë qenë lehtësisht të kapërcyeshëm për trafikun njerëzor, armët dhe narkotikët, gjë që i ka penguar përpjekjet e Kosovës kundër terrorizmit. Trafikantët shfrytëzuan disa rrugë dhe shtigje të pambrojtura për të hyrë në Kosovë.

Në këtë drejtim ka kontribuar dhe puna e dobët e doganave në dy pika në veri të vendin, në kufirin e Kosovës me Serbinë. Për arsye sigurie, UNMIK-u dhe EULEX-i nuk kanë ndërhyrë për të vendosur rregullin në këto pika.

Në raport citohen përparimet e bëra në bashkëpunimin mes zona të tjera të vendit si dhe rastet e pazgjidhura në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit. /VoA/Telegrafi/