“E keni parë që Kosova ka prodhuar stabilitet, jo vetëm për vetën, por edhe për rajonin, por mendojmë se reduktimi i trupave të NATO-s duhet të jetë paralel me ndërtimin e trupave të sigurisë në Kosovë”, është cituar Kuçi nga RTK.

Sipas tij, përfundimi i mandatit të KFOR-it duhet të jetë në përputhje me integrimin e Kosovës në NATO.

Për më shumë, Kuçi ka thënë se, përkundër sfidave të shumta me të cilat përballet Kosova, sfidë kryesore mbetet integrimi i komunitetit serb në institucionet shtetërore. Zëvendëskryeministri edhe njëherë ftoi serbët e Kosovës që të bashkohen në institucionet demokratike, si dhe ta pranojnë realitetin e krijuar. Ai garantoi se të gjithë qytetarët, pa dallim do të kenë trajtim të barabartë.

“Ne e përsërisim ftesën për minoritetin serb që të bashkohen në institucione dhe jetën demokratike të vendit tonë, por edhe një herë theksojmë se jemi të vendosur për rend dhe ligj dhe trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët e vendit tonë”, ka thënë Kuçi gjatë qëndrimit në Mitrovicë.