Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të dalë partia e parë në zgjedhjet e 6 tetorit, dhe Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër. Vota për koalicinin AAK-PSD dhe për Ramush Haradinajn, është referendum për shtetin e Kosovës.

Kështu ka deklaruar shefi i shtabit zgjedhor të AAK-së, Blerim Kuçi në një intervistë për KosovaPress, ku thekson se befasia e zgjedhjeve sa i përket votave, për këtë koalicion është Anamorava për të cilën thotë se ka rritje të madhe.

Blerim Kuçi që është një prej udhëheqësve të AAK-së, shprehet i bindur se koalicioni “100% Kosovë” do të dalë fitues nga zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Ne konsiderojmë që jo vetëm ne kemi dëshirë, por është më së e nevojshme që në këto momente historike, çfarë është dialogu dhe pritjet që i kemi në elemente të tjera rreth shtetësisë, Kosovës i duhet një kryeministër i tillë, dhe atë e kemi vërejtur shumë mirë në gjithë këto pjesë që po flasim, pra rritja vjen për shkak siç po e quajmë te një lloj referendumi për shtetin ose referendum edhe për Ramushin”, thotë ai.

Ai thotë se përparësi e kanë punën e Haradinajt sa ishte në krye të Qeverisë, që sipas tij, qytetarët po e vlerësojnë punën e tij.

“Qytetari, e kemi kuptuar që është duke e konsideruar që është një referendum për shtetin e Kosovës në një farë mënyrë, është vota për Ramush Haradinajn dhe për koalicionin është një votë për shtetin e Kosovës, në këtë aspekt është përparësi e jona. Përparësia e dytë është vet puna e zotit Haradinaj si kryeministër, sidomos në ato shtyllat kryesore të shtetit që vërtetë është për t’u çmuar dhe qytetari po e vlerëson këtë çështje”, thotë ai.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës qeverisë me shtatë komuna në Kosovë, e këtë Kuçi po e konsideron përparësi për zgjedhjet e 6 tetorit.

Ai thotë se besojnë edhe në dy komunat në të cilat udhëheq PSD, Prishtinë dhe Kamenicë, dhe shprehet i bindur që në nëntë komuna do të dalin fitues.

“Përparësia jonë është në këto komuna dhe dihet që do të dalim fitues, pra presim që në të gjitha këto komuna të jemi fitues në këto zgjedhje nacionale, në disa komuna pritjet tonë, dhe në bazë të matjeve që kemi bërë, do të fitojmë edhe mbi 60% të votave të komunave. Jemi të përqendruar, të fokusuar, dhe po e shohim që kemi rritje të madhe dhe në pjesën e Ferizajt dhe Anamoravës. Mendoj dhe jam i sigurt që befasia e zgjedhjeve sa i përket votave kundrejt koalicionit tonë do të jetë pjesa e Anamoravës. Nuk kemi asnjë komunë ku nuk kemi rritje të konsiderueshme. Kemi rritje në disa komuna ku nuk jemi pushtet, dhe mbi 200% të votave presim të kemi rritje”, thotë Kuçi.

Sipas Kuçit, koalicioni AAK-PSD ka program shumë të mirë i cili u mundëson qytetarëve jetë  të mirë, dhe përkrah bizneset.

Koalicionin ai e quan fitues, duke thënë që puna në terren po e dëshmon një gjë të tillë.

Megjithatë, Kuçi pranon se po fokusohen më shumë në zonën e Mitrovicës, për siç thotë ai, mos të ketë një lloj disbalanci të votave me ato në zonën e Dukagjinit, Prishtinës dhe Anamoravës.

“Edhe në këto zona ku nuk jemi ashtu mirë, çka do të thotë mirë, ne askund nuk e konsiderojmë rritjen tonë nën 30%, pa marrë parasysh ku jemi, në cilën komunë jemi, në cilën zonë jemi, rritja jonë konsiderohet minimalja në një komunë 30%. Mirëpo kemi zona ose komuna ku rritja jonë e kalon 200%, pra duke pas këtë parasysh, dhe komplet shtabi jonë jemi fokusuar në shpërndarjen gjeografike, Aleanca, edhe koalicioni e ka parasysh edhe elementin gjeografik të gjithëpërfshirës në Kosovë. Kjo na siguron që Aleanca do të jetë partia e parë bashkë me PSD-në, dhe kjo na siguron që zoti Haradinaj do të jetë kryeministër në të ardhmen”, thotë ai.

Kuçi thotë në fund për KosovaPress, se në listën për deputetë të koalicionit AAK-PSD, janë 17 doktorë shkence, dhe 42 kandidatë që garojnë për herë të parë, dhe konsideron që kjo listë është garantuese edhe për zona të tilla si Mitrovica./kp/Telegrafi/