LAJMI I FUNDIT:

Kryeziu thotë se Serbia e ka shkelur Marrëveshjen Bazike, liston disa prej tyre

Kryeziu thotë se Serbia e ka shkelur Marrëveshjen Bazike, liston disa prej tyre

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka listuar një sërë shkeljesh me anë të së cilave thotë se Serbia e ka shkelur Marrëveshjen Themelore.

Ai përmes një postimi në rrjetin social në “X”, ka shkruar se është një zhvillim i dukshëm që Bashkimi Evropian ka pranuar se procesi i dialogut nuk ka ecur mirë.


Megjithatë, siç tha ai mungesa e progresit nuk është për shkak të të dyja palëve.

“Që atëherë, 90 ushtarë të KFOR-it u plagosën në veri të Kosovës nga anëtarë të dhunshëm të bandave nën vëzhgimin e krerëve të Listës Serbe në maj 2023. Në shënjestër ishin edhe gazetarët dhe Policia e Kosovës. Paradoksalisht, vetëm një muaj më pas BE vendosi masa kundër Kosovës, jo Serbisë”.

Ai tha se në qershor të vitit 2023, tre policë të Kosovës u rrëmbyen nga forcat speciale serbe brenda territorit të Kosovës.

“Përkundër dëshmive të shumta të ofruara nga institucionet tona që vërtetojnë se Serbia ka shkelur integritetin tonë territorial, asnjë masë nga BE-ja nuk është marrë ndaj Serbisë”, tha tutje Kryeziu.

Kryeziu përmendi edhe vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku në sulmin terrorist të 24 shatorit në Banjskë, si dhe faktin që krimineli Milan Radoiçiq ka marrë përsipër organizimin e sulmit.

Po ashtu zëdhënësi i Qeverisë theksoi se këtë muaj mbi një mijë qytetarë të Kosovës janë ndaluar dhe keqtrajtuar arbitrarisht nga autoritetet serbe në kufi, pa asnjë arsye.

“Në mesin e tyre ishin 10 policë të Kosovës, 4 pjesëtarë të komunitetit tonë serb, përfshirë zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, Sadik Duraku, një shqiptar i cili është gjithashtu shtetas britanik, më pas është ndaluar dhe akuzohet pa të drejtë. Megjithatë, ndaj Serbisë nuk është marrë asnjë masë”, tha ai.

Kryeziu tha se veprimet e fundit nga Serbia kanë ardhur në mënyrë hakmarrëse vetëm një ditë pasi Asambleja Parlamentare votoi pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ky anëtarësim kundërshtohet ashpër dhe publikisht nga Serbia, pavarësisht nenit 4 të Marrëveshjes Bazike. Kjo edhe të tjera dëshmojnë se nuk bëhet fjalë për ‘faj të të dyja palëve’ por për një rast tjetër dypalësh”. /Telegrafi/