Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në një takim zyrtar kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili po qëndron për vizitë në Gjilan. Vizita nisi me homazhe në Kodrën e Dëshmorëve, ku të dy kryetarët nderuan sakrificën e të rënëve për liri.

“Vizitën e nisëm me homazhe te Kodra e Dëshmorëve, një moment reflektimi për ata që na lanë amanetin e lirisë dhe të qëndresës”, deklaroi kryetari Hyseni, duke e cilësuar vizitën si një takim miqësor dhe institucional me homologun e tij nga Tetova.


Pas homazheve, Hyseni dhe Kasami, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndoqën ndeshjen e Ligës së Konferencës mes Dritës së Gjilanit dhe Shkëndijës së Tetovës, një derbi shqiptar që përfundoi me fitoren e Dritës, përcjell Telegrafi.

“I shkëmbyem me kënaqësi fanellat e dy ekipeve tona, me urimin që në fushë të tregojnë vlerat e larta sportive. Bashkë u pajtuam njëzëri se futbolli na bashkon”, tha Hyseni.

Ai shtoi se fitorja e Dritës është një hap i rëndësishëm drejt kualifikimit, ndërsa vlerësoi edhe Shkëndijën për lojën korrekte.

“Urime djemve për paraqitjen fantastike”, u shpreh kryetari i Gjilanit.

Nga ana tjetër, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, e quajti vizitën në Gjilan të veçantë dhe falënderoi Hysenin për mikpritjen.

“E urova kryetarin Hyseni për rizgjedhjen në krye të Gjilanit. Biseduam për bashkëpunimin mes dy qyteteve tona, duke nënvizuar përkushtimin për thellimin dhe zgjerimin e projekteve të përbashkëta”, deklaroi Kasami.

Ai tha se shkëmbimi i fanellave të Shkëndijës dhe Dritës, si dhe ndjekja e përbashkët e ndeshjes me kryeministrin Kurti, ishin një moment simbolik i miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy komunave.

Kasami nënvizoi edhe rëndësinë e homazheve në Memorialin e Dëshmorëve në Gjilan:

“Kujtuam dhe nderuam sakrificën e mijëra shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Lavdi”.

Vizita përfundoi në atmosferë sportive e miqësore, duke forcuar lidhjet institucionale dhe kulturore mes Gjilanit dhe Tetovës. /Telegrafi/