LAJMI I FUNDIT:

Kryeministri Haradinaj kërkon përgjegjësi për investitorin strategjik ‘SOWI Kosovo’

Kryeministri Haradinaj kërkon përgjegjësi për investitorin strategjik ‘SOWI Kosovo’

Kosova mund të rrezikon t’i humbë një investimin prej 180 milionë eurosh, investim ky i zotuar nga investitori i parë strategjik i shpallur në Republikën e Kosovës, “SOWI Kosovo”. Kështu u tha dje në mbledhjen e Qeverisë, gjatë diskutimit për investimet strategjike dhe ngecjen në zbatimin e tyre.

Investitori “SOWI Kosovo” kishte bërë një numër kërkesash për institucionet vendore, për të zhvilluar projektet e prodhimit të rrymës nga era në Selac, Mitrovicë. Këto kërkesa, të bazuara në standarde dhe praktika ndërkombëtare, kanë gjetur përkrahjen edhe të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), duke qenë se e njëjta është e përfshirë edhe në strukturën financiare të këtij projekti.


Përkundër, kërkesat e bazuara në praktika ndërkombëtare nuk kishin gjetur përkrahje nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ani pse disa prej tyre janë plotësuar. Kësisoj, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Ndër-Ministror për Investime Strategjike që planifikohet të mbahet në fund të kësaj jave, pas prezantimit të përgjigjeve, Kosova rrezikon të humbë edhe investimin e radhës prej 180 milion eurosh.

“Në fund të kësaj jave mendojmë të kemi edhe një takim me investitorin në fjalë, t’ia japim përgjigjet ashtu siç i kemi nga agjencitë dhe të shohim nëse investitori me këto përgjigje dëshiron të vazhdojë tutje apo jo. Ne si komision ndërministror të gjitha detyrat i kemi përfunduar”, theksoi Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, teksa po bënte raportimin në mbledhjen e Qeverisë.

“SOWI Kosovo” kishte marrë mbi dhjetëra leje të nevojshme nga institucione në Kosovë, për të zhvilluar projektet e prodhimit të rrymës nga era në Bajgorë. Tri projekte të prodhimit të rrymës nga era me kapacitet të përgjithshëm prej 105 megavateve, në Kosovë sjellin investimin prej 180 milion eurosh dhe ndihmojnë furnizimin e rregullt me energji elektrike.

Për më shumë, projektet ndihmojnë Kosovën të arrijë caqet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian, për prodhimin e energjisë nga burime të ripërtërishme dhe paraqesin ndër projektet më të mëdha të energjisë së ripërtërishme në Ballkanin Perëndimor.

Projektet parashohin vendosjen e 27 turbinave nga prodhuesi Amerikan General Electric në rajonin e Bajgorës, me anë të të cilave do të bëhet prodhimi i energjisë elektrike pa ndikim në mjedis.

Në kuadër të projekteve parashihen edhe shumë aktivitete investuese në infrastrukturë publike në Bajgorë, me anë të të cilave do të sigurohej zhvillimi dhe integrimi i këtij rajoni në komunitet.