Kryediplomati shqiptar: Shqipëria e përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim këtë të enjte, me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, me të cilën ka diskutuar për situatën dhe sfidat me të cilat përballet komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës.
Në një postim në rrjetin social X, ministri Hoxha theksoi se gjatë takimit u zhvillua një bisedë e hapur mbi problematikat dhe çështjet që prekin shqiptarët në këtë rajon.
“Pata kënaqësinë të pres sot në takim Kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani. Biseduam hapur për situatën, problematikat dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës. Shqipëria mbetet tërësisht e përkushtuar për të mbështetur dhe mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginë. Institucionet shqiptare do të vijojnë të ndjekin me vëmendje situatën e shqiptarëve atje dhe mbeten të angazhuara në mënyrë të vazhdueshme, si në dialogun dypalësh ashtu edhe në forumet ndërkombëtare, për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre legjitime, për të adresuar çështjet që i shqetësojnë dhe për të nxitur politika që garantojnë barazi, respekt dhe mundësi të drejta, si dhe që zëri i tyre të dëgjohet kudo ku mbrohen të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve. Respektimi i të drejtave të njeriut, i identitetit kombëtar, i gjuhës dhe i përfaqësimit të drejtë institucional është thelbësor për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse.“, shkruan ministri Hoxha.
Ai shtoi se mbështetja për zhvillimin ekonomik, arsimor dhe kulturor të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës mbetet një prioritet i rëndësishëm.
“Shqipëria do të vazhdojë të punojë ngushtë me përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginë dhe me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar barazi, dinjitet dhe perspektivë për të ardhmen e tyre.“, vazhdoi më tej ministri.




























