LAJMI I FUNDIT:

KRU Prishtina: Vijojnë vështirësitë me furnizim me ujë të pijshëm, shkak turbullirat në kanalin e Ibrit

KRU Prishtina: Vijojnë vështirësitë me furnizim me ujë të pijshëm, shkak turbullirat në kanalin e Ibrit

Kompania Rajonale e Ujit “Prishtina” bën të ditur se si shkak i reshjeve të dendura me vërshime, në kanalin e Ibrit vijon të ketë turbullirë në nivele të larta të ujit.

Për qytetin e Drenasit, ka filluar trajtimi i ujit në orët e mesnatës me kapacitet të ulët trajtimi. Banorët e kësaj zone kanë pasur pak orë furnizim me ujë mëngjesin e sotëm (e diele), ndërsa është paralajmëruar se do të ketë sërish në orët e mbrëmjes.


“Pikat e larta në Drenas që nuk janë furnizuar me ujë nga sistemi i furnizimit, kanë autobotin (auto cisternën) si alternativë për situatën që po kalojmë”, njofton KRU-ja.

Përderisa, ITU Shkabaj është jashtë funksionit qytetet si Fushë Kosova së bashku me Zonën Industriale, lagjja “Kalabria” në kryeqytet dhe Obiliqi po furnizohen nga alternativa të tjera, respektivisht nga impiantet tjera.

“Do të kenë reduktime të furnizimit me ujë në oraret e njëjta sikurse ditët e tjera duke vazhduar edhe sot nga ora 10:00 dhe do zgjasë deri në 16:00. Pastaj nga ora 16:00-20:00 kanë furnizim me ujë, për të vazhduar edhe ditën e nesërme me të njëjtin orar, vetëm se furnizimi për ditën e nesërme fillon në ora 05:00 në mëngjes. Për zonat e kryeqytetit, reduktime jemi shtrënguar të aplikojmë nga ora 23:00-5:00, përveç qendra e qytetit, QKUK, QKMF-të, ‘Dardania’”, thekson kompania.

Një situatë e tillë paralajmërohet se do të vazhdojë deri në përmirësimin e situatës me turbullirë në kanal. /Telegrafi/