LAJMI I FUNDIT:

KRU ‘Gjakova’: Furnizimi me ujë të pijshëm po vazhdon pa probleme

KRU ‘Gjakova’: Furnizimi me ujë të pijshëm po vazhdon pa probleme

Pas situatës meteorologjike e cila ka mbretëruar në vend ditëve të fundit, KRU Gjakova ka bërë të ditur se të gjithë konsumatorët që furnizohen më ujë të pijshëm nga liqeni i Radoniqit, mund të konsumojnë këtë ujë pa asnjë problem, pasi nuk ka rënie të cilësisë.

Në një konferencë për media, zëdhënësja e KRU “Gjakova”, Dafina Syla ka thënë se të reshurat e fundit atmosferike nuk kanë ndikuar në kualitetin e ujit dhe se përjashtim bëjnë vetëm zonat që furnizohen me burime vetanake.

“Zona më e madhe e mbulimit të furnizimit me ujë që menaxhohet nga KRU Gjakova furnizohet nga Liqeni i Radoniqit, saktësisht nga impianti i trajtimit të ujit që përfshinë komunën e Gjakovës, komunën e Rahovecit, si dhe një pjesë të komunës së Prizrenit. Këtu përjashtohen të gjitha ato zona që furnizohen me burime vetanake. Kohëve të fundit kemi vërejtur se ky ujë nuk i përket kualitetit të duhur për t’u konsumuar, andaj me kohë i kemi njoftuar të gjithë konsumatorët që momentalisht ai ujë nuk mund të konsumohet. Të gjitha ekipet tona profesionale janë në monitorim të gjendjes duke marrë mostra të duhura në të gjithë zonën tonë të menaxhimit për të mirëmbajtur cilësinë e ujit. I gjithë procesi i prodhimit dhe furnizimit me ujë të pijes është duke vazhduar pa asnjë problem”, tha ajo.

Zëdhënësja e ujësjellësit KRU Gjakova bëri të ditur se edhe fshatrat të cilat i përkasin Rekës së Keqe po furnizohen me ujë cilësor.

“Edhe impianti i trajtimit të ujit që ndodhet në fshatin Botushë, i cili furnizon me ujë fshatrat e Rekës së Keqe, i përkasin një uji mjaft cilësor, i cili përpunohet dhe është në bazë të të gjithë parametrave të standardeve të caktuara për cilësinë e ujit”, tha ajo.

Në fund, Syla bëri të ditur se nuk kanë pasur asnjëherë problem me nivelin e ujit në liqenin e Radoniqit, teksa shtoi se reshjet e fundit kanë nxjerrë në pah, sikurse është e ditur, problemet me kanalizimet. /KP/