LAJMI I FUNDIT:

Kriza ekonomike godet shpenzimet e konsumit në SHBA

Kriza ekonomike godet shpenzimet e konsumit në SHBA
Foto: Ilustrim

Shpenzimet e konsumatorëve në SHBA u rritën me vështirësi në gusht, duke sugjeruar se rritja ekonomike po ngadalësohej pasi u përshpejtua në tremujorin e dytë të vitit.

Departamenti i Tregtisë tha të premten se shpenzimet konsumatore, që përbëjnë më shumë se dy të tretat e aktivitetit ekonomik të SHBA-së, u rritën me vetëm 0.1 për qind muajin e kaluar.


Nga ana tjetër edhe të dhënat për muajin korrik u rishikuan dhe rezultuan më poshtë se sa ishin menduar, duke treguar se shpenzimet konsumatore për muajin në fjalë ishin rritur me 0.5 për qind në vend të 0.6 për qind të raportuara më herët.

Shpenzimet konsumatore të qëndrueshme deri tani, shtuar këtu edhe shkallën më të ulët të papunësisë, prej pothuajse gjysmë shekulli, kanë qenë arsyeja pse disa nga goditjet në ekonomi kanë mundur të përballohen pa shumë pasoja. Një nga këto goditje është padyshim lufta 15-mujore e Shtëpisë së Bardhë me Kinën, pasojat negative të së cilës po shihen qartë tek investimet e biznesit dhe prodhimi.

Por me tarifat e shtuara për mallrat kineze, që së fundi përfshijnë edhe mallrat e konsumit, ekziston frika se shpenzimet mund të ngadalësohen akoma më tej me trende rënëse. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se investimet e dobëta të biznesit dhe rritja e ngadaltë e fitimit mund të kufizojnë aftësinë e kompanive për të mbajtur punësimin në të njëjtat nivele si ato aktuale.

Rezerva Federale Amerikane uli javën e kaluar normat e interesit për herë të dytë këtë vit, duke përmendur rreziqet e vazhdueshme të luftës tregtare SHBA- Kinë tek ekspansioni ekonomik dhe ngadalësimi i rritjes globale.

Në muajin korrik, normat e interesit u ulën për herë të parë, 11 vite pas krizës globale financiare të vitit 2008. /Telegrafi/