LAJMI I FUNDIT:

Krenare Rugova, aty ku moda gërshetohet me artin

Krenare Rugova, aty ku moda gërshetohet me artin

Plot stil dhe elegancë, kreatorja Krenare Rugova, tregon fillimet e saj, tendencat e modës, mënyrën si funksionon moda në Kosovë si dhe ekspozon një pjesë të koleksionit të ri të saj...

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Pasioni për të bukurën është rritur bashkë me të, duke marrë format dhe përmasat e një shijeje të rafinuar dhe me stil. Me formën e saj unike të shprehjes së kreativitetit artistik si dhe me eksperiencën profesionale, Krenare Rugova me brendin e saj (KR) ka fituar respekt edhe në qendrat prestigjioze të modës si në Paris dhe New York. Ajo ka vazhduar universitetin me renome të madhe në fushën e modës ‘Parsons School of Design’, New York dhe në Paris.


Për krijimet dhe suksesin e kreatores KR me etiketën ”made in Kosova” janë publikuar shkrime dhe storie të ndryshme nëpër media ndërkombëtare si : CNN, EuroNews, Arté-Frances, FoxNews, CBS, Deutsche-Welle, ZDF, New York Times, Herald-Tribunal, Associate Press, B92-Belgrade dhe gjitha mediumet lokale.

Krenarja rrëfen pasionin e vet për modën dhe ndërthurjen që ajo ka ditur të bëjë midis të bukurës dhe stilistes. Mbi të gjitha sekreti që e ka bërë të lumtur në modën që ajo krijon.Le të flasim pak për fillimet. Kur ishit e vogël, çfarë planesh dhe dëshirash kishit për të ardhmen?
Sa mbaj në mend unë, gjithmonë isha e orientuar nga arti, më interesonte gjithçka që reflektonte bukur. Vizatoja, punoja fustane për kukulla dhe kam mbledhur fotografi të bukura revistash edhe prej atëherë ishin të pakta…Nuk kam qenë e përqendruar vetëm në veshje, kam filluar me vizatime te ndryshme.

Kur e keni bërë veshjen e parë për veten tuaj?
Veshjet e para i kam punuar për kukullat e mia, mirëpo gjithmonë bashkë me nënën dhe motrat. Meqenëse nëna ka qepur më herët, ne vetëm i kemi treguar çka duam, ndërsa ajo e realizonte.

Çfarë vizatuat?
Çfarëdo që më rrethonte dhe ishte në imagjinatën time.

Nga çfarë frymëzoheni kur bëni një veshje?
Kur kam filluar të studio dhe të bëj veshje ka qenë viti i dytë i studimeve. Në momentin që kam filluar të vizatoj e krijoj, më kanë lindur edhe idetë e mia të para se çfarë veshje më pëlqejnë dhe prej nga mund të frymëzohem. Unë kam përfunduar studimet në New York dhe Paris, kështuqë kam pasur informata të mjaftueshme për frymëzim. Eksperienca në këto dy qytete është ende element kyç në veshjet e mia. Tani që jam në Prishtinë, kërkimi për më të bukurën, modernen dhe origjinalen më bën të frymëzohem për veshjet e mia që i shoh nëpër rrugët e Prishtinës.Model: Liburneta Xhemajli, Foto: Jetmir Idrizi

Krenare, sa e vështirë është për një stilist të bëjë modë në Kosovë?
Varësisht nga lloji i veshjeve që bën një stilist, nga aspekti i biznesit është shumë vështirë për qëndrueshmëri. Kosova është një treg i vogël dhe i përzier nga shijet. Poashtu, lëmia e dizajnit të modës është relativisht e re, duhet të kalojë një kohë derisa shoqëria jonë të kuptojë rolin dhe rëndësinë e një atelieje dhe punën e një kreatori të modës.

Sa ndikojnë sfilatat e stilistëve shqiptarë në modën shqiptare?
Sfilatat apo prezantimet e ndryshme të modës janë mënyrë shumë e mirë që stilisti ta promovojë punën e vet dhe të njëjtën kohë të inspirojë të tjerët që e ndjekin këtë profesion për të ardhmen. Përmes sfilatave kuptohet i tërë koncepti i veshjes dhe dukjes së femrës në përgjithësi. Është shumë me rëndësi që këto sfilata të vazhdojnë, mirëpo prezantimi të jete në formë moderne dhe i kapshëm për tregun kosovar.

Cilat janë shijet e shqiptarëve në të veshur?
Ne jemi një vend me plot shije, të ndryshme. I kemi të gjitha nga pak, nga të gjitha anët. I kemi ato më perëndimore dhe modernet nga ato më orientalet dhe vulgare.

Sa është e ngjeshur është agjenda e Krenares?
Agjendën e kam plot. Ditët i kam të mbushura me plot punë rreth ateliesë, punëtorisë, koleksionit, fotografi, punë administrative, klientelë, e pastaj edhe pjesa tjetër e ditës e ngarkuar me kërkesat e dy fëmijëve që i kam.

Si arrini ta përballoni gjithë këtë fluks pune?
Tani është bërë rutinë, sa më shumë punë që keni, aq më shumë jemi të organizuar. Ml pëlqen puna që bëj. Me gjithë stresin që sjell, gjithmonë jam e gatshme për projekte, ide të reja. Diçka edhe më të bukur se sezonin e kaluar. Gjithmonë duhet të ketë ‘diçka më kreative’ që të frymëzon për më shumë angazhim. Ne fakt, kjo është puna e një kreatori.Model: Mirjeta Shala, Foto: Jetmir Idrizi

Stili juaj ngjan me ndonjë stilist me famë botërore, ose e thënë ndryshe cili prej ikonave të modës është frymëzimi juaj?
Puna e shumë stilistëve është me të vërtetë shumë e bukur dhe frymëzuese, mirëpo Hussein Chalayan dhe Nicholas Ghesquiere janë ata që, filozofia e tyre për modën dhe të bukurën, më frymëzon, çdoherë.

Cilët janë njerëzit që i drejtohen më shpesh atelieve të stilistëve?
Në këtë rast po e përshkruaj klientelën time që e pëlqen të veshurit unikat, me shije, njerëz që kanë besim edhe tek stilisti.

Cila është gjëja e parë që shihni tek një person në prezantimin e parë që keni me të?
Mënyra e komunikimit. Ajo tregon gjithçka.

Çfarë funksioni luan forma në raport me detaje të tjera të veshjes?
Forma është elementi kryesor në veshjet e mia. Materiali që punoj është gjithmonë ajo që më bën të gjej forma të reja, çka është edhe esenciale për një koleksion të ri. Ndërsa, detajet e bëjnë të pasur dhe i japin karakter veshjes.

Ju vetë vishni firmën ‘KR’, apo preferoni të tjera?
Mundohem që të kem sa më shumë veshje nga atelieja ime. Janë këpucët dhe stolitë të cilat i blej ku të mundem.

Çfarë ju frymëzon për një veshje të bukur?
Materiali, ngjyrat, detajet, dhe ndjenjat për atë veshje.Model: Gina Xhemajli, Foto: Jetmir Idrizi

Duke qenë se artisti e harron veten kur jepet shumë pas punës, a mendoni se preokupoheni sa duhet për veshjen tuaj?
Preokupohem aq shumë me dukjen e të tjerëve, saqë shpeshherë, nuk e marr të rëndësishme shumë dukjen time. Por, do të mundohem që të kujdesem më shumë për pamjen time.

Sipas jush a është veshja tregues i karakterit, apo e tipit të një femre?
Veshja tregon shumë, jo vetëm për personin, por për shoqërinë në përgjithësi.

Çfarë e bën Krenaren që të ecë përpara?
E dua punën, e dua procesin e krijimit të veshjeve i cili nuk ka të ndalur kurrë…

Krenare, cilat janë veshjet e sezonit çfarë propozoni dhe me çfarë do na surpizoni për këtë sezon?
Koleksionin pranverë/verë 2013 unë tashmë e kam prezantuar më 14 dhjetor të vitit të kaluar në Modelariumin e Arkitekturës. Koleksioni i quajtur ”ViVid”, ka qenë një përmbledhje veshjesh me materiale të lehta të pambukut, kryesisht me ngjyrë të bardhë dhe krem të pasura me shumë detaje konstruksioni dhe manipulimi/tretmani të materialit. Ngjyrat e ndezura si e kuqja korale dhe e kaltra, janë kontrasti i dalluar në veshje. Trajtimi i materialit në formë pëlhure duke e ngjyrosur atë me ngjyra të ndezura, i japin përshtypje të hareshme koleksionit. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Mësohet arsyeja pse nuk ndërhyri VAR-i te goli i anuluar i Bayern Munichut ndaj Real Madridit

Mësohet arsyeja pse nuk ndërhyri VAR-i te goli i anuluar i Bayern Munichut ndaj Real Madridit

Liga e Kampionëve
Bayer Leverkusen kthehet ndaj Romës dhe shpëton nga humbja, kalon në finalen e Ligës së Evropës

Bayer Leverkusen kthehet ndaj Romës dhe shpëton nga humbja, kalon në finalen e Ligës së Evropës

Liga e Evropës
Pas largimit të Escobarit dhe Lajçakut, Serwer: Lamtumirë dështimit, dialogu kërkon riformatim

Pas largimit të Escobarit dhe Lajçakut, Serwer: Lamtumirë dështimit, dialogu kërkon riformatim

Lajme
Pamjet e fundit para tragjedisë, Alma dhe fëmijët nisen drejt urës së Bunës

Pamjet e fundit para tragjedisë, Alma dhe fëmijët nisen drejt urës së Bunës

Lajme
Biden tha se nuk ta furnizojë me armë Izraelin, Netanyahu: Nëse duhet të qëndrojmë vetëm, do të qëndrojmë

Biden tha se nuk ta furnizojë me armë Izraelin, Netanyahu: Nëse duhet të qëndrojmë vetëm, do të qëndrojmë

Azia
Harrojeni Carlo Ancelottin, ky njeri do të jetë në finalen e Ligës së Kampionëve për herë të nëntë

Harrojeni Carlo Ancelottin, ky njeri do të jetë në finalen e Ligës së Kampionëve për herë të nëntë

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori