LAJMI I FUNDIT:

Kreditë e garantuar krijuan mijëra vende të reja pune

Kreditë e garantuar krijuan mijëra vende të reja pune

Në përvjetorin e tretë të themelimit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), u tha se për këtë periudhë janë dhënë 2 mijë e 560 kredi të garantuara për biznese të vogla dhe të mesme, në vlerë rreth 100 milionë euro, që kanë arritur të krijojnë mbi 3,700 vende të reja pune në Kosovë.

Po sot, FKGK nënshkruan programin “Cosme” për garantimin e kredive dhe për rritjen e kapitalit të fondit.

Kryetari i Bordit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Rinor Gjonbalaj, theksoi se brenda një kohe të shkurtë po sigurohet kapital shtesë dhe programe të reja nga programi “Cosme” që pritet t’i japë një përkrahje edhe bizneseve.

Gjonbalaj tha se Fondi do të vazhdojë edhe më fuqishëm t’i përkrahë bizneset në vend dhe në bashkëpunim me partnerët do të rritet ndikimi në sektorin privat, sidomos për kompanitë prodhuese, bizneset që udhëhiqen nga femrat dhe ndërmarrësit e ri.

“Deri më sot portofolio e kredive të garantuara nga Fondi, kap shifrën gati 110 milionë euro. fondi ka ndihmuar afro 2 mijë e 560 biznese në vend. Një statistikë interesante, është se në vitin 2018 çdo e shtata kredi biznesore e lëshuar në vlerë deri në 100 mijë euro ka qenë e garantuar nga Fondi. Këto para, bizneset e reja i kanë përdorë për të rritur bizneset e tyre, për ta rritur afarizmin, për të blerë pajisje të reja e të tjera. Por, më e rëndësishmja, si rezultat i kësaj pune, është se këto biznese po krijojnë rreth 3 mijë e 740 vende të reja të punës”, tha Gjonbalaj.

Me këtë raste zëvendës ministri i Financave, Fatmir Gashi, tha se përmirësimi i ambientit të të bërit biznes dhe krijimi kushteve për mbështetjen e investimeve në sektorin privat mbetet prioritet strategjik i Qeverisë së Kosovës.

“Ne si Ministri e Financave vazhdojmë të jemi edhe më tutje të përkushtuar ta mbështesim fuqizimin e Fondit Kosovar, duke rritur kapitalin dhe aftësinë garantuese të këtij institucioni. Unë u inkurajova prej krejt këtyre numrave që i dëgjova, dhe vërtet është një dritare shumë e rëndësishme për zhvillimin e bizneseve të reja në Kosovë. Shpresojmë që ky fond, do të jetë shpresa e bizneseve të reja për ngritjen e tyre”, tha Gashi.

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt, tha se vendi i tij vazhdon ta mbështesë Kosovën financiarisht, ndërsa tash e tutje është vënë një fokus i veçantë për bujqësi, në mënyrë që të ketë zhvillim të qëndrueshëm dhe krijim të vendeve të reja pune.

Heldt tha se shteti gjerman për këtë vit do të ndajë edhe 6.5 milionë euro për FKGK-në.

“Ne kemi vënë një fokus të veçantë në bujqësi. Pse në Bujqësi? Duhet të shpërndajmë në tërë vendin ndjenjën në zonat rurale, për të mos mbetur askush mbrapa ose anash. Kush do që ka ide biznesi, kushdo që ka mundësi, por që nuk ka kapital, t’u ndihmojnë që të kenë makinerinë, veglat dhe instrumentet që të bëjnë kontributin tyre në bujqësi dhe të bëhen tregim suksesi”, tha Heldt.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, me këtë rast tha se fondi gjatë këtyre tri vjetësh ka arritur sukses të jashtëzakonshëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Studimet e bëra deri më tani tregojnë se, mes tjerash, qasja në financim është një pengesë e zhvillimit të bizneseve në sektorin privat. Tashmë janë të njohura sfidat me të cilat ballafaqohen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe vështirësitë që ka institucioni financiar për të vlerësuar rrezikun në rastin e financimit. Fondi ka shërbyer në tejkalimin e këtyre sfidave, duke lehtësuar qasjen në financim për bizneset e mesme, të vogla dhe mikro për të bërë garantimin e kredive”, tha Mehmeti.

Ndërsa, Ricardo Serri nga Zyra e BE-së, tha se “Cosme” është program që Bashkimi Evropian e menaxhon brenda kufijve të vet dhe tani është zgjeruar për ta mbuluar edhe Kosovën dhe ky program fokusohet kryesisht në zhvillimin ekonomik.

Këshilltari i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Durim Limaj, duke vlerësuar lart të arriturat e FKGK-së, tha se marrëveshja për programin “Cosme” është një hap tjetër pozitiv për bizneset kosovare në mënyrë që ato të kenë qasje më të lehtë në financa. /KP/Telegrafi/