LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi: Viti 2022 do të jetë më i lehtë sa i përket COVID-it

Krasniqi: Viti 2022 do të jetë më i lehtë sa i përket COVID-it

Pandemia COVID-19 ishte kryefjalë edhe në vitin që shkoi, mirëpo viti 2022 pritet të jetë më i përballueshëm sipas drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi.

Përkundër që në vendin tonë tashmë janë shënuar rastet e para me variantin Omicron, i cili karakterizohet për përhapje më të shpejtë, Krasniqi beson se viti 2022 do jetë vit më i lehtë sa i takon pandemisë COVID-19.


“Unë besoj që bota edhe Kosova do ta ketë një vit më të lehtë sa i përket pandemisë marr parasysh shumë faktorë, në radhë të parë tashmë njohuritë që i kemi për virusin, vaksinimin që e kemi në dorë si armë dhe me zbatimin e masave që tashmë janë të njohura sigurisht që bota pres që të kalojë një vit më të qetë”, u shpreh Krasniqi.

Drejtori i ShSKUK-së në një intervistë për KosovaPres ka thënë se gjatë këtij viti kanë arritur që pacientëve t’u sigurojnë shumicën e barnave nga lista esenciale.

Sipas tij, mungesat e herëpashershme kanë ndodhur për shkak të çrregullimeve të shkaktuara në treg nga pandemia COVID-19.

Stabilitet në furnizim me barna nga lista esenciale, Krasniqi premton edhe gjatë vitit 2022 pasi që Qeveria e Kosovës ka ndarë 30 milionë euro.

Ai thekson se buxheti për ShSKUK-në i paraparë për këtë vit është më i lartë sesa ai i vitit të kaluar.

Pacientët në Kosovë ende po ballafaqohen me pritje të gjata për ndërhyrje kirurgjike në shumë klinika të QKUK-së.

Krasniqi thotë se listat më të gjata të pritjes janë në Klinikën Vaskulare dhe atë të Ortopedisë, megjithëse, sipas tij, në shumë klinika kanë arritur që ta stabilizojnë gjendjen dhe pritjet janë minimale.

Për drejtorin e ShSKUK-së, faktorët që po ndikojnë në listat e gjata të pritjeve janë kapacitetet e vogla të sallave kirurgjike dhe furnizimi me material të nevojshëm shpenzues.

Në fund të vitit të kaluar u zgjodhën edhe drejtorët e shumë prej klinikave të QKUK-së, të cilët udhëhiqeshin prej vitesh me ushtrues detyre. Krasniqi tha se synon që gjatë këtij viti të emërojë edhe drejtorët e spitaleve rajonale dhe shefat e reparteve që janë me ushtrues detyre. /kp/Telegrafi/