Krasniqi: Të ndërtojmë të sotmen dhe të ardhmen

Krasniqi, e përgëzoi kryetarin e Graçanicës, Bojan Stojanovic, për zgjedhjet e suksesshme dhe për punët e filluara në shërbim të qytetarëve, duke e siguruar se udhëheqja dhe mbarë komuna e Graçanicës do të ketë përkrahjen e Kuvendit dhe të Qeverisë së të Kosovës në zhvillimet e gjithëmbarshme.
Njëra nga sfidat kryesore në Kosovë është integrimi i serbëve në jetën institucionale, ndërsa në këtë rast, sipas Krasniqit, formimi dhe funksionimi i komunës së Graçanicës tregon se për qytetarët është hapur perspektivë e re dhe e sigurt.
Duke përmendur se në të gjitha këto aktivitete një rol të rëndësishëm ka edhe shoqëria civile, e cila duhet të jetë oponencë e institucioneve, qoftë të nivelit lokal, qoftë në atë qendror, ai tha se përpjekjet duhet të përqendrohen në aspektin e ndihmës ndaj institucioneve që kanë dalë nga zgjedhjet, në funksion të krijimit të një kualiteti të ri të jetës në Graçanicë dhe në mbarë vendin.
“Ne nuk mund të ndryshojmë historinë, por mund të ndërtojmë të sotmen dhe të ardhmen“, theksoi në fund kryekuvendari. /Telegrafi/



















































