Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka edhe 11 ditë afat për të formuar qeverinë, pas pranimit të mandatit nga presidentja e vendit.

Megjithatë, Krasniqi shprehet i bindur se Kurti nuk ka numrat për të krijuar një qeveri, dhe sipas tij, afatet kushtetuese mund të çojnë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme midis 30 nëntorit dhe 14 dhjetorit.


Ai nuk përjashton mundësinë që, në rast surprize, zgjedhjet të shtyhen deri në prill.

“Kurti e ka pranuar mandatin nga presidentja dhe ka edhe 11 ditë për të provuar të formojë qeverinë,” tha Krasniqi.

“Jam i bindur siç kam qenë gjithmonë, që s’ka numra. E më pas ezaurimi i provës së parë sjell atë të provës së dytë. Afatet kushtetuese janë të tilla që mund të përfundojmë në zgjedhje mes 30 nëntorit dhe 14 dhjetorit, ndoshta më 7 dhjetor. Nëse na befason Kurti, mund të shkojmë në zgjedhje në prill.”

Krasniqi vlerëson se “është e domosdoshme, e rëndësishme dhe e dobishme që të shkohet në zgjedhje sa më parë, dhe dështimi i krijimit të qeverisë është mekanizmi që e çon vendin drejt zgjedhjeve.”