LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi e Haradinaj përkujtojnë masakrën e Mejës

Krasniqi e Haradinaj përkujtojnë masakrën e Mejës

Krerët nga Partia Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Ditën e të Pagjeturve kanë përkujtuar Masakrën e Mejës dhe Korenicës.

Krasniqi përmes rrjetit social në Facebook ka shkruar se zbardhja e fatit të të pagjeturve dhe ndëshkimi i kriminelëve të luftës do të jenë përherë kërkesat e Kosovës derisa drejtësia të vihet në vend.


“Sot kujtojmë 376 civilë të paarmatosur, të masakruar mizorisht nga forcat serbe në Mejë të Gjakovës, më 27 prill të vitit 1999. Fatkeqësisht, tani 23 vite pas, disa prej tyre ende janë të pagjetur. Masakra e Mejës, ndër më të mëdhatë të kryera në Kosovë, shpërfaq barbarinë e një regjimi, qëllimi i vetëm i të cilit ishte spastrimi etnik i shqiptarëve. Por, gjurmët e këtyre krimeve nuk mund të fshihen asnjëherë. Zbardhja e fatit të të pagjeturve dhe ndëshkimi i kriminelëve të luftës, do të jenë përherë kërkesat e Kosovës derisa drejtësia të vihet në vend. Lavdi martirëve të Masakrës së Mejës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Edhe Haradinaj tha se të pagjeturit janë plagë e hapur dhe dhembje e vazhdueshme për Kosovën.

Haradinaj përmes rrjetit social në Facebook ka shkruar se Dita e të Pagjeturve, shënohet pikërisht në ditën e masakrës në Meje e Korenicë.

“Dita e të Pagjeturve, shënohet pikërisht në ditën e masakrës në Meje e Korenicë ku brenda ditës u martirizuan qindra vëllezër e motra tona, vetëm pse ishin shqiptarë. Nuk rreshtim së kërkuari dhe së kujtuari. Na mungojnë çdo festë e gëzim. Plagët e luftës nuk mbyllen pa ndriçimin e fatit të tyre. Gjithashtu sot, në përvjetorin e rënies së bashkëluftëtarëve të mi, Edmond Dabiqaj, Sadri Latifaj dhe Haxhi Tolaj, nderojmë kontributin e fshatit Prejlep në Luftën Çlirimtare, Dëshmorët e Martirët që ia fali lirisë. Prejlepi ishte në vijën e parë të frontit dhe bëri rezistencën më të mirë që e meritonte agresori.

Sot gjithashtu, kujtojmë bashkëluftëtarët Bekim Thaçi, Fetah Sylejmani, Isuf Dinaj, Muhamet Bardheci, Mustafë Avdullahu, Pëllumb Ademaj, Rexhep Hajdaraj, Shkelzen Brahimaj dhe Xhavit Fetahaj të rënë në betejat e fundit të prillit anekënd Dukagjinit. Sot e përjetë, përkulje në nderim të sakrificës së Martirëve dhe Dëshmorëve të lirisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. /Telegrafi/