KQZ-ja tregon si do të votojnë personat e infektuar me coronavirus

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes ekipeve mobile do tu mundësojë qytetarëve të Kosovës të cilët janë të infektuar me COVID-19, që të votojnë në ditën e zgjedhjeve.
Përmes një videoje të publikuar në Facebook, KQZ-ja ka shpjeguar procedurën që duhet të ndjekin të infektuarit të cilët shprehin vullnetin që të votojnë.
Përveç se duhet të respektohen masat antiCOVID, duhet që gjatë votimit të ruhet edhe fshehtësia e votës, për çka KQZ-ja këtyre votuesve do tu ofrojë një zarf në të cilin këta votues duhet ta vendosin fletëvotimin.
Për çdo informacion shtesë, mund të kontaktoni linjën ndihmëse pa pagesë: 0800 55 555.
Njoftimi i plotë:KQZ do t’i kontaktojë të gjithë qytetarët të cilët janë në listen e IKSHPK, deri me datën 26 nëntor si persona të infektuar me COVID - 19 dhe ata që janë në vetizolim, pa pasur nevojë për ndonjë regjistrim paraprak. Për të votuar, qytetarëve të infektuar me COVID -19 dhe ata që janë në vetizolim, u dërgohet ekipi lëvizës në adresën e votuesit të regjistruar për të votuar; Anëtarët e ekipit lëvizës do të jenë të pajisur me maskë, mantel, dorëza dhe mjete për dezinfektim; Nëse ju si votues nuk keni pajisje mbrojtëse në shtëpi, ekipi lëvizës do t’iu sigurojë maskë dhe dorëza për mbrojtje gjatë votimit; Me qëllim të identifikimit, votuesi e tregon një dokument të vlefshëm identifikimi para ekipit lëvizës dhe largon maskën në kohë të shkurtër derisa të identifikohet; Nënshkruheni në listën votuese; Para se të merrni fletëvotimin, ju duhet t’i dezinfektoni duart; Së bashku me fletëvotimin, ekipi lëvizës do t’iu jap një zarf të veçantë për të vendosur fletëvotimin, në mënyrë që të ruani fshehtësinë e votës; Ju duhet të keni hapësirë për të votuar në mënyrë të fshehtë dhe të pavaruar; Pasi të keni votuar, fletëvotimin e vendosni në zarf të veçantë, të cilin e mbyllni dhe e vendosni në kutinë e votimit; Pas votimit, ju duhet që sërish t’i dezinfektoni duart; Me qëllim të mbrojtjes së identitetit të votuesve të infektuar me COVID - 19 dhe votuesve të izoluar, nuk do të lejohet fotografimi dhe filmimi i procesit të votimit; Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e këtyre masave të domosdoshme me qëllim të mbrojtjes së shëndetit. Për informata shtesë kontaktoni këtë linjë ndihmëse pa pagesë: 0800 55 555. /Telegrafi/




















































