LAJMI I FUNDIT:

Kostumografja Samka Ferri: 40 vite punë, kreativitet e profesionalizëm (Foto)

Kostumografja Samka Ferri: 40 vite punë, kreativitet e profesionalizëm (Foto)

Për 40 vite nuk iu nda kostumografisë. Është kjo Samka Ferri, që si pakkush në Kosovë ka durimin dhe aftësinë unike të krijimit. Me punën e saj e krijon përshtypjen e parë për karakteret e shfaqjes. E, këtë profesion e ushtron përherë me përkushtim e njëjtë. Sepse, dashuria dhe entuziazmi i saj për kostumografinë nuk zbehet kurrë – pa marrë parasysh vitet dhe moshën kalendarike.


“Si kostumografe e Televizionit të Prishtinës – ku kam punuar 13 vite – kam realizuar kostumet e shumicës së programeve. Të njëjtën kohë kam punuar edhe për shfaqje të ndryshme në teatro, numri i të cilave sot është mbi 160”, ka thënë Ferri për Telegrafin, që gjatë karrierës së saj është angazhuar edhe në dhjetëra filma të metrazhit të gjatë e të metrazhit të shkurtë, dhjetëra shfaqje baleti, e madje edhe në shfaqjet me kukulla (‘Minuku lozonjar’ i realizuar para 26 viteve, vazhdon të jetë pjesë e repertorit të teatrit ‘Dodona’).

Ajo është gjithmonë e qeshur dhe e afërt me bashkëpunëtorët. Shpirti i saj është i ri, plotë dashuri e jetë.

“Kostumi përcakton karakterin e personazhit, kohën dhe vendin e ngjarjes, por edhe stilin dhe zhanrin. Kjo ndihmon jo vetëm aktorin, por edhe konceptin ideor të regjisorit”, shton ajo, teksa ndjehet e lumtur për bashkëpunimet e shumta që kishte ndër vite, me aktorë e regjisorë të njohur (jo vetëm shqiptarë).

Sipas saj, një kostumograf duhet të studiojë gjatë gjithë kohës, e sidomos të jetë njohës i mirë i stileve dhe i mënyrës së veshjes së njerëzve – në periudha të ndryshme kohore.

“Por, duhet ta njohë edhe artin skenik. Sepse, kostumi skenik i ka disa parametra që duhet t’ju përmbahesh: koncepti regjisorial, karakteri i personazhit, ndriçimi, koreografia, skenografia… Por, në fund, kostumografi nuk guxon ta humbasë ‘dorëshkrimin’, stilin me të cilin identifikohet. Thjeshtë, duhet ta krijojë identitetin e tij”, shprehet Ferri, e cila kostumografinë nuk e ndërron me asgjë. “Ky profesion mua më jep mundësi të shprehjes artistike, por edhe kënaqësi të veçantë krijuese! Hulumtimi dhe përkushtimi ndaj gjetjes së duhur është kërkim që gjithmonë më nxit”.

Krijuesja e njohur shton për Telegrafin se kur e finalizon punën, ndjehet mirë që ndihmon në transformimin e aktorëve në personazhet që nuk kanë ngjashmëri me jetët e tyre private.

“Kostumografi ua ndryshon aktorëve imazhin, karakterin, personalitetin… Çdo gjë është ndryshe, por në skenë duket natyrale dhe bindëse”, shton tutje Ferri, për të cilën çdo shfaqje e re kërkon një qasje origjinale. “Është një sfidë e re, por edhe një mundësi e re të përmbushesh shpirtërisht”.

Sipas saj, në këtë profesion duhet të përshtatësh imagjinatën dhe intuitën, mbi të gjitha me atë të regjisorit. Ndërkaq, inspirimi i vjen nga teksti, nga provat, por edhe nga bashkëbisedimet me ekipin e shfaqjes.

“Fillimisht i konceptoj kostumet në letër, në formë të skicave. Pranoj çdo sugjerim për ndryshime, që shkon në dobi të karakterit dhe të shfaqjes. Ndonjëherë ndodh që koncepti në letër të jetë i vështirë për realizim. Prandaj, duhet kërkuar zgjidhja tjetër, qoftë duke modifikuar idenë apo edhe materialet”, shton Ferri, e cila shpeshherë ballafaqohet edhe me problemin e financave, për çka zgjidhjen detyrohet ta kërkojë tek fondusi i teatrit. “Dikur problemet e tilla ishin më të vogla. Por, kostumografi duhet gjithmonë të gjejë zgjidhjen”.

Secili kostum është vepër e ndjeshmëri e njëjtë për të. “Shpërblimi” i parë që merr për këtë punë janë komplimentet nga kolegët. Por, nuk kanë munguar edhe çmimet e shumta nëpër festivale – vendore e ndërkombëtare – për kostumografinë më të mirë.

“Nuk mund ta ndaj ndonjë kostum si më të dashur, sepse të gjithat për mua kanë vlerë të madje. Megjithatë, do ta cekja punën time në këto shfaqje: ‘Beselam pse me flijojnë’ të regjisorit Sefo B. Krasniqi (shfaqje e vitit 1978, e para e imja në Teatrin Popullor të asaj kohe); ‘Zhorzh Dandeni’ me regji të Muharrem Qenës; ‘Venedikasja’ me regji të Faruk Begollit; ‘Revizori’ i Velimir Mitroviqit; ‘Babai’ me regji të Selami Tarakut; ‘Komploti Ilir’ i Ekrem Kryeziut; ‘Shfaqja e fundit’ e Fadil Hysajt; ‘Fluturimi mbi folën e qyqes’ e Ilir Bokshit; ‘Llamba magjike’ e Meli Qenës; ‘Dosja H’ e Agim Sopit; ‘Darka publike’ e Agim Selimit, ‘Çifti Martin’ i Bekim Lumit etj. Po ashtu, do ta përmendja angazhimin tim në filmat: ‘Lepuri me pesë këmbe’ me regji të Smajl Imerit; ‘Tre vetë kapërcejnë malin’ i Besim Sahatçiut, apo ‘Anatema’ dhe ‘Agnus Dei’ të Agim Sopit”, tregon ajo me nostalgji disa nga realizimet e saj, që patjetër se e kthejnë në kohë e në kujtime. “Pastaj janë shfaqjet e baletit, si: ‘Balloja e diplomës’ me koreografi të Ilir Kernit; ‘Aty ku drita bie’ nga Antonio Pio Fini; ‘Fluturimi drejt dritës’ nga Sylvia Tomova; ‘Liria ime’ nga Israel Rodriguez; ‘Othello’ nga Pëllumb Agalliu apo ‘She-ra-zade’ nga Alessandra Panzavolta”.

Për të teatri është tregues i situatës në shoqëri, sidomos në këtë kohë kur sistemi i vlerave është i përmbytur. Ndaj, ndihet keq që sot nuk vlerësohet sa duhet puna e kostumografit profesionist e me përvojë.

“Po dëmtohet edhe ky profesion. Do të duhej të përmirësohet gjendja në teatër, që të çmohet krijuesi e t’i kthehet dinjiteti këtij arti skenik”, thotë në fund të bisedës, kostumografja Samka Ferri. /Telegrafi/