LAJMI I FUNDIT:

Kosova zvogëlon ndotjen e ajrit nga termocentralet në Obiliq nga viti 2022!?

Kosova zvogëlon ndotjen e ajrit nga termocentralet në Obiliq nga viti 2022!?

Edhe pse ende të larta, emisionet e liruara nga dy termocentralet në Obiliq kanë pësuar një rënie të ulët në dy vitet që po lëmë pas për shkak të investimeve të bëra nga KEK-u në vitin 2013.

Sidoqoftë, ka ende shumë punë për t’u bërë me qëllim që parametrat e ndotjes të vazhdojnë rënien deri në nivelin e lejuar.

Kështu thuhet në strategjinë e Kosovës për energji elektrike, të miratuar pak kohë më parë.

Sipas parashikimeve, vlerat e emisioneve do të zvogëlohen dhe do të arrijnë kufijtë e lejuar nga viti 2023, kur edhe bëhet një vit nga operimi i termocentralit të ri me kapacitet prej 450 megavatësh.

Kësisoj, sipas raporteve, ‘Kosova e Re’ do të ndikojë në zvogëlimin e ndotjes së ajrit, ndotje kjo e shkaktuar nga impiantet e stër-vjetruara të Kosovës në Obiliq.

“Kosova e Re do të zëvendësojë njësitë prodhuese të vjetruara të termocentralit Kosova A, duke ndikuar në zvogëlimin e ndotjes deri në 93%”, thuhet në shpalljen zyrtare të tenderit të ContourGlobal për ndërtimin e termocentralit.

“Emetimet e pluhurit do të zvogëlohen për 93% deri sa ato të SOx dhe NOx për 84% dhe respektivisht 93%, me zvogëlimin e lirimit të dioksidit të karbonit për rreth 37%”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Të dhëna zyrtare nga KEK tregojnë se dy termocentralet në Obiliq, Kosova A dhe Kosova B, lirojnë mesatarisht 2500 kilogram dioksid karboni për çdo megavat të prodhuar në orë, apo rreth 5.5 milion ton në vit.

Vlerat e emitimit të dyoksidit të sulfurit arrijnë në 5 kilogramë dhe ato të oksidit nitrik në 7 kilogram për çdo megavat të prodhuar.

Vlerat marramendëse të emisioneve të liruara gjatë prodhimit të energjisë elektrike në Termocentralin Kosova A dhe B ndikojnë direkt në ndotjen e ajrit dhe në shëndetin e të gjithë banorëve të rrethinës.

Kohë më parë, Contour Global ka lansuar tenderin për ndërtimin e termocentralit të ri prej 500 megavatëve në Kosovë, investimi për të cilin pritet të arrijë 1.2 miliard Euro. “Kjo do të shënojë investimin më të madh të tre dekadave të fundit në vendin që ende ballafaqohet me mungesë të energjisë elektrike”, thuhet më tej në njoftimin për media të Paper Communcations.

Në njoftimin e tyre zyrtar, Contour Global informon që procesi i përzgjedhjes bëhet në dy faza ndërkombëtare konkurruese, në pajtim me udhëzimet e prokurimit të Bankës Botërore. /Telegrafi/

Foto: Arkiv