LAJMI I FUNDIT:

Kosova vend me potenciale për energji solare, boshllëku ligjor pengon investitorët

Kosova vend me potenciale për energji solare, boshllëku ligjor pengon investitorët

Procedurat burokratike janë duke ia humbur Kosovës qindra miliona euro investime në sektorin privat të energjisë solare. Komunat dhe Ministria e Mjedisit ja hedhin fajin njëra-tjetrës për politikat mjedisore.

Afrim Syla nga kompania “Elen” ka deklaruar se pritja për të marrë një pëlqim mbi realizimin e një parku solar në rrethinë të komunës së Shtimes po vazhdon me muaj të tërë.


Në Debat Plus të RTV Dukagjinit, Syla ka deklaruar se komuna e Shtimes pavarësisht masave ligjore, e ka drejtuar kompaninë “Elen” në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe anasjelltas. Syla vlerëson se kjo paraqet një mangësi të Ministrisë në painformimin e zyrtarëve komunalë për procedurat

“Fillimisht, kemi shkuar në komunë ku kemi hasur në vështirësi dhe jemi ballafaquar me përgjigje që nuk i kemi dashur. Mungesa e planit zhvillimor të planit  të komunës së Shtimes, e pamundëson ose e pengon procesin e investimin në energji solare. Nga Ministria e Ambientit kërkohet që komunat të cilat duan të pranojnë investime të tilla duhet ta kenë në planin e tyre zhvillimor energjinë solare”, ka deklaruar ai.

“Çka është shqetësuese është se zyrtarët e komunës janë totalisht të painformuar me ligjet aktuale në Kosovë për çdolloj investimi dhe ndoshta është mangësi e Ministrisë që nuk i thërrasin dhe njoftojnë për këto… Ata menjëherë na kanë thënë që duhet të shkoni në Ministri dhe ne u kemi thënë që për projekte të vogla nuk duhet të shkojmë në Ministri sepse ligji e kërkon deri në 10 megavat të iu drejtoheni organeve komunale. Shkuam në Ministri dhe na kthyen në komunë. Vajtja-ardhja Komunë-Ministri-KEDS po vazhdon me muaj e nuk po marrim përgjigje”.

Syla ka treguar se investimet e kompanisë dhe bashkëpuntorëve të tyre janë në pritje, gjersa thekson se nga aktivitetet e tyre për të investuar në këtë zonë mbushin një vit në tetor.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu ka deklaruar se plani zhvillimor komunal nga ana e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës po trajtohet si i pandryshueshëm, interpretim ky i cili është i gabuar.

Aliu ka deklaruar se një plan i tillë shërben si orientim dhe për rrjedhojë, mbetet më se i plotësueshëm.

Sipas tij, brenda Ministrisë së lartcekur mbeten dy grupe në kundërshtim me njëra tjetrën

“Ministria e Mjedisit ka vet dilema dhe gabimi më i madh është interpretimi i ligjit për planifikim hapësinor. Në vet ministrinë janë të ndara dy grupe në kuadër të institucionit  që kanë mendime të ndryshme, posaçërisht për planin zhvillimor komunal. Është shumë saktë e shpjeguar që si dokument është strategjik dhe çfarëdo që futet në këtë strategji nuk është e saktë, nuk është me kufij”.

“Ministria e Mjedisit ka qenë kategorike në një intepretim që është më i gabueshmi dhe e ka marrë në qafë gjithë Kosovën, jo vetëm fushën e energjisë por edhe të ndërtimeve”, ka deklaruar Aliu.

Aliu thekson se Qeveria e Republikës së Kosovës duhet t’a trajtojë në mënyrë serioze problemin e energjisë.

Visar Prebreza nga “BIRN” ka thënë se planet apo vizionet për energji janë shumë të rëndësishme për shtetin.

Ai tha se Plani Zhvillimor Komunal hartohet nga komunat, disa nga të cilat, sipas tij, nuk kanë kapacitete njerëzore për një strategji të energjisë solare në Kosovë

“Fatkeqësi që një vizion nacional që është energjia me mbet peng I një vizioni të një komune. Sepse Plani Zhvillimor Komunal hartohet nga komunat, çfarë kapacitete njerëzore kanë Istogu e komunat e vogla. Është fatkeqësi qysh mundemi me mbet peng të një komune që ndoshta s’ka pasur kapacitet e as vizion 10 vjeçar se çfarë do të bëjë me energji solare”, tha ai.

Tutje, ai tha se nëse Qeveria e Kosovës e krijon një strategji të energjisë, ajo strategji duhet të ndiqet edhe nga ministritë e tjera e po ashtu edhe komunat.

“Nëse themi që shteti e bën një strategji të energjisë, ajo strategji edhe rregullat edhe ministritë e tjera edhe MMPHI edhe komunat duhet ta ndjekin këtë vizion. Nëse qeveria e bën vizionin, komunat e Istogut Junikut, Mamushës që nuk kanë as ekspertë të kësaj fushe e mbajnë peng sepse nuk iu ka shkuar në mendje me bërë planin zhvillimor komunal, është fatkeqësi e madhe që mundet me i pengu investimet”, tha ai.