LAJMI I FUNDIT:

Kosova në Samitin e Investimeve në Azi, prezantohen reformat ekonomike në vendin tonë

Kosova në Samitin e Investimeve në Azi, prezantohen reformat ekonomike në vendin tonë

Kosova ishte vendi i vetëm pjesëmarrës nga kontinenti i Evropës në Samitin e Investimeve, i cili u mbajt në Kuala Lumpur të Malajzisë.

Në samit morën pjesë kompani të shumta nga vende të ndryshme të Azisë në përgjithësi dhe Azisë Jug-lindore në veçanti, duke përfshirë pjesën diplomatike të akredituar në shtetin e Malajzisë,  e ku u prezantuan shtete të ndryshme të botës, të cilat vlerësohen me potenciale të mëdha zhvillimi.


Veç kësaj, Kosova u prezantua si vendi i parë në Samit nga shtetet tjera pjesëmarrëse. Me këtë rast, para të pranishmëve, drejtori i Komunikimit dhe Diplomacisë Publike, Sami Kastrati, fillimisht bëri një prezantim të zhvillimeve të përgjithshme në Kosovë dhe rajon dhe më pas ofroi argumentet se pse shteti i ri duhet të jetë vend atraktiv për investime nga shtetet e Azisë Jug-Lindore.

“Kosova është vendi më i ri, me popullatën më të re në Evropë, i vendosur në një lokacion strategjik, me ekonomi liberale të tregut, ka Marrëveshje për Stabilizim-Asociim me BE-në, atë të CEEFTA-së, Marrëveshje Preferciale të Tregtisë me ShBA-të, Japoninë dhe Norvegjinë, ka ambient miqësor dhe konkurues të biznesit, sistem të shëndoshë ekonomik, taksa të ulëta, fuqi punëtore të lirë dhe të kualifikuar”, ka thënë Kastrati.

Në vazhdim janë prezantuar të arriturat e gjithmbarshme të vendit në aspektin politik dhe ekonomik, që nga shpallja e Pavarësisë si në nivelin kombëtarë ashtu edhe atë ndërkombëtarë.

Gjatë prezantimit janë paraqitur si argumente për investime stabiliteti finaciar i Kosovës, reformat e ndërmarra ekonomike, duke përfshirë miratimin e Ligjit për Investime Strategjike, atij për Partneritetet Publiko Private, themelimi i Zonave të Lira të Ekonomike, infrastruktura moderne, që e lidh vendin me vendet fiqinje dhe qasja më e lehtë dhe më e shpejtë në tregun e Evropës, rritja e qëndrueshme ekonomike, e cila për këtë vit është paraparë të jetë më shumë se 4 për qind dhe e dyta në rajon; borxhi më i ulët publik në rajon; raporti i të bërit biznes i Bankës Botërore, e cili e rendit Kosovën në vendin e 40 dhe indikatorë të tjerë ekonomik.

Pjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Investimeve në Malajzi u mundësua dhe organizua nga Ambasada e Kosovës në Australi. /Telegrafi/