LAJMI I FUNDIT:

Kosova marrëveshje me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës, merr 35 milionë euro kredi

Kosova marrëveshje me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës, merr 35 milionë euro kredi

Kosova sot ka nënshkruar një marrëveshje financiare me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës për marrjen e kredisë në vlerë prej 35 milionë eurove.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami që ka nënshkruar këtë marrëveshje thotë se mjetet do të përdoren në kudër të projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.


Bajrami thotë se kjo marrëveshje do të financojë pajisje mjekësore sipas nevojave të sektorit të shëndetësisë dhe do të sigurojë resurse që “sistemi shëndetësorë nuk i ka pasur që nga paslufta”.

Njoftimi i plotë i ministres Hykmete Bajrami

Nënshkruhet Marrëveshja financiare me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës për projektin “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”

Në emër të Ministrisë së Financave, sot kam nënshkruar marrëveshjen e kredisë me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE), përfaqësuar nga Guvernatori i kësaj banke, Rolf Wenzel, në vlerë prej 35 milionë euro.

BZHKE është institucion i Këshillit të Evropës që ka mandat mbështetjen e sektorit social ku përfshihet edhe sektori shëndetësor. Pas goditjes së Evropës nga pandemia, BZHKE ka reaguar me hapjen e dy raundeve të jashtëzakonshme për mbështetjen e 41 vendeve anëtare në ngritje të kapaciteteve shëndetësore për ballafaqim me pandeminë COVID-19.

Ministria e Financave ka punuar ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë për të ofruar mbështetjen e nevojshme që të përmirësohet ndjeshëm trajtimi dhe kapacitetet e sistemit shëndetësor për të forcuar qëndrueshmërinë dhe kualitetin e shërbimeve shëndetësore. Në veçanti, kjo marrëveshje do të financojë pajisje mjekësore sipas nevojave të MSH-së dhe SHSKUK-së, si dhe do të financojë në mënyrë retroaktive linjat buxhetore për masat 6 dhe 7 të pakos emergjente sa i përket mbështetjes për sektorin shëndetësor.

Vlen të theksohet se kjo është kredia e parë sovrane me BZHKE-në, dhe kjo mbështetje do të mundësojë implementim të shpejtë të masave dhe do t’i vë në dispozicion sistemit shëndetësor resurse të cilat nuk i ka pasur që nga periudha e pasluftës.