LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe Gjermania nënshkruajnë dy marrëveshje financiare në vlerë prej 13.5 milionë eurove

Kosova dhe Gjermania nënshkruajnë dy marrëveshje financiare në vlerë prej 13.5 milionë eurove

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi dhe drejtori i Zyrës së KfW-së për Kosovë, Rene Escheman kanë nënshkruar dy marrëveshje financiare, që janë “Rritja e Kapitalit Garantues për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore” dhe “Fondi i Sfidave të Kosovës – Arsimi Profesional dhe Trajnimi”.

Bislimi tha se këto grante janë të mirë së ardhura duke parë hezitimin e bankave për të mbështetur bujqit vendor dhe kapin vlerën e 13.5 milionë eurove.

“Në këtë situatë ku po përballemi me pandemi çdo mbështetje është e mirëseardhur. Pala gjermane asnjëherë nuk ka hezituar me qenë partner shumë serioz. Pra po them në kohë të pandemisë kur ka rënie të importit është me rëndësi që të shtohet gatishmëria e fermerëve kosovarë për me rrit prodhimin dhe ne shpresojmë që përmes kësaj dritare të ndodh. Dua të cek se nga ky grant nuk përfitojnë vetëm sektori publik, por edhe sektori privat”, tha Bislimi.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt tha se pavarësisht situatës duhet të kihen parasysh zhvillimet e ekonomisë.

“Duke pasur parasysh kushtet e jashtëzakonshme kemi arritur të nënshkruajmë dy marrëveshje sot. Përkundër faktit që po përballemi me pandeminë duhet të kemi parasysh zhvillimet e mesme dhe afatgjata të ekonomisë. Fondi Kosovar për Garanci Kreditore ka dëshmuar se është instrument i mirë, ka dëshmuar se është partner i besueshëm”, tha Heldt.

Marrëveshja prej 6.5 milionë eurove ka për qëllim mbështetjen e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) duke rritur kapitalin e saj garantues, i cili përmes “Agro Dritares” i ofron agrobizneseve (ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme si dhe fermerëve) qasje në financim për të mbështetur aktivitetet e tyre përmes institucioneve financiare në Kosovë. Përfitues i kësaj marrëveshjeje është FKGK, me të cilin KfW-ja do të nënshkruajë marrëveshje të veçantë për të finalizuar detajet e programit.

Ndërsa, marrëveshja tjetër e nënshkruar do të themelojë “Fondin e Sfidave të Kosovës – Arsimi Profesional dhe Trajnimi” me kontribut prej 7 milionë eurove që ka për qëllim të adresojë dallimet mes aftësive të fituara nga arsimi profesional dhe trajnimi dhe nevojave të tregut të punës në Kosovë, dhe kështu të rrisë numrin e punëtorëve të aftësuar për kompanitë gjegjëse. /Telegrafi/