LAJMI I FUNDIT:

Koreano-jugorët votojnë për presidentin e ri

Koreano-jugorët votojnë për presidentin e ri

Qytetarët në Korenë e Jugut po votojnë për zgjedhjet presidenciale, në një proces të parakohshëm për shkak të skandalit të korrupsionit që çoi në shkarkimin e presidentes së mëparshme.

Liberali Moon Jae-in është favoriti në këtë garë, përballë kandidatit të qendrës, Ahn Cheol soo, që në sondazhe renditet më afër tij.


Zgjedhjet po monitorohen nga afër, në një kohë kur vendi aziatik ndodhet në një periudhë pasigurie ekonomike dhe kur tensionet me Veriun fqinj janë rritur.

Moon synon të shtojë kontaktet me Veriun, ndryshe nga ish-presidentja Park Geun hye, që kishte prerë thuajse tërësisht lidhjet.

Vëzhguesit presin që pjesëmarrja në votime të jetë e lartë, e rritur kryesisht nga votuesit e rinj, të cilët do të zgjedhin mes 13 kandidatëve.

Qendrat e votimit pritet të mbyllen në orën 20:00 me orën lokale dhe fituesi pritet të shpallet menjëherë më pas.

Të gjithë kandidatët premtojnë se do të punojnë për të mbrojtur rimëkëmbjen e brishtë të ekonomisë koreano-jugore, që është e katërta më e madhe në Azi, si dhe për të ulur papunësinë në radhët e të rinjve, që mbetet e lartë, transmeton KP.

Gjithashtu mes kandidatëve ka premtime për t’i vënë fre dominimit të elitës politike të Koresë së Jugut dhe për të reformuar konglomeratet familjare, që sundojnë ekonominë vendase.